Bizneseve u bien shitjet dhe fitimet me rreth 70% në 6 mujorin e parë, të vegjlit më të goditurit

schedule07:12 - 8 Tetor, 2020

schedule 07:12 - 8 Tetor, 2020

Të gjitha bizneset kanë raportuar rënie të shitjeve dhe fitimeve me gati 70% në 6 mujorin e parë të këtij viti, sipas tabelave të publikuara nga Banka e Shqipërisë në kuadër të anketimit që ajo ka bërë me 1300 ndërmarrje dhe që përkoi me kulmin e pandemisë.

Për bizneset e mëdha, rënia e shitjeve ishte -64% dhe e fitimeve me -62% në 6 mujorin e parë 2020, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bizneset e mesme shënuan një tkurrje të shitjeve dhe fitimeve përkaësisht me 76.6 dhe 71%.

Pandemia Covid- 19 i ka vënë në vështirësi më së shumti bizneset e vogla, me të ardhurat që u tkurrën me 72% dhe fitimet me 70% (shiko tabelat në fund).

Por edhe para pandemisë bilancet e bizneseve të vogla ishin të rënduara nga rënia e fitimeve. Banka e Shqipërisë në anketat periodike të gjendjes financiare të bizneseve ka gjetur se biznesi i vogël ka raportuar rënie të rezultatit financiar në mënyrë sistematike që nga viti 2016 deri në vitin 2020 .

Në 6 -mujorin e parë 2016, bizneset e vogla raportuan rënie të fitimeve me 28% në raport me 6 muajt paraardhës, teksa shihet së rënia me ritme dyshifrore ka vijuar për të gjithë periudhën derisa në gjashtëmujorin e parë 2020, për shkak të efekteve negative të pandemisë Covid -19 fitimet e biznesit të vogël shënuan rënie me 70% në raport me 6-mujorin e dytë të vitit 2019.

Në gjashtëmujorin e parë rënia ka qenë e pranishme edhe tek bizneset e mëdha të mesme përkatësisht me 70 dhe 71 për qind, por të dy këto grupe rezultati financiar ka qenë më rritje për periudhën 2016-2017.

Bizneset e mëdha kanë raportuar rritje dyshifrore të fitimeve në përgjatë periudhës, ku sipas grafikut bashkëngjitur rritja ka qenë mesatarisht 20-27%, ndërsa për ndërmarrjet e mesme normat e fitimit kanë pësuar rritje me të moderuar. Kjo kategori biznesi ka raportuar nivelin më të lartë të rritjes së fitimeve në 6 mujorin e dytë të vitit 2017.

Në grupin e ndërmarrjeve të përgjigjura ( 968 biznese), mbi 75% e secilit grup sipas madhësisë kanë raportuar fitim gjatë periudhës. Kjo peshë ka rezultuar më e lartë për ndërmarrjet e mëdha (rreth 84%) dhe më e ulët tek ato të vogla (rreth 75.4%). Krahasuar me periudhën e mëparshme, pesha e ndërmarrjeve që kanë raportuar fitim ka shënuar rënie për të tre grupet e ndërmarrjeve.

Nga 1300 bizneset e anketuara nga Banka e Shqipërisë në gjashtëmujorin e parë 2020, rreth 37% e ndërmarrjeve i përkasin sektorit të industrisë, rreth 29% sektorit të shërbimeve, rreth 15% sektorit të ndërtimit dhe rreth 19% sektorit të tregtisë.

Për ndërmarrjet të cilat raportojnë humbje, të tre grupet e ndërmarrjeve raportojnë balanca negative për nivelin e shitjeve, rezultatin financiar dhe zgjerimin e veprimtarisë apo rritjen e investimeve gjatë 6-mujorit të parë 2020. Këto balanca janë thelluar ndjeshëm lidhur me shitjet dhe rezultatin financiar.

Pritshmëritë e ndërmarrjeve me humbje janë pozitive për gjashtëmujorin pasues lidhur me nivelin e ardhshëm të shitjeve, rezultatin financiar dhe me zgjerimin e veprimtarisë për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve.

Këto pritshmëri janë më optimiste në lidhje me zgjerimin e veprimtarisë për të gjitha madhësitë e ndërmarrjeve, si edhe lidhur me rezultatin financiar të ardhshëm për ndërmarrjet e mëdha.

Në grupin e ndërmarrjeve të vogla, peshën kryesore e zënë ndërmarrjet që operojnë në sektorin e shërbimeve (rreth 44%), ndjekur nga sektori i tregtisë (rreth 24%). Nga ana tjetër, në grupin e ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, peshën më të lartë e kanë ndërmarrjet e sektorit të industrisë (përkatësisht prej rreth 41% dhe 42%) dhe ato të sektorit të shërbimeve (respektivisht 23% dhe 26%)./marrë nga monitor/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!