Bizneset: Të ulet çmimi i pullave fiskale

schedule18:03 - 5 Shkurt, 2021

schedule 18:03 - 5 Shkurt, 2021

Nga Erblina Mile

Importuesit e mallrave me akcizë si duhan, pije alkoolike, birrë apo prodhime farmaceutike kërkojnë ulje të çmimit të pullave fiskale.

11 subjekte që merren me importin e këtyre produkteve me anë të një letre i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministres Anila Denaj dhe ministrit të Sipërmarrjes Eduard Shalsi për rishikimin e çmimit të pullave.

Bizneset theksojnë se  Shqipëria ka çmimin më të lartë që aplikohet për pullat fiskale nëse e krahasojmë me vendet e rajonit apo të Bashkimit Europian. Ky fakt penalizon bizneset shqiptare duke i bërë më pak konkurrente pasi detyrohen të paguajnë rreth 10 herë më shumë se në vendet e tjera me të cilat zhvillojnë tregti.

Tarifat e larta të pullave fiskale thuhet në letër kanë ndikuar në futjen në mënyrë të paligjshme ose të kontrabandës së  këtyre mallrave në tregjet shqiptare.

Aktualisht në Shqipëri një subjekt paguan 24.2 dollarë për një  mijë pulla fiskale disafish më shumë se në vende të tjera.

Në vendet e Bashkimit Europian për 1 mijë pulla fiskale paguhen vetëm  3 dollarë dhe shërbimi ofrohet nga kompani shtetërore.

Ndërkohë në Shqipëri aktualisht ky shërbim ofrohet nga kompania koncesionare të cilës i përfundon kontrata vitin e ardhshëm.

Por deri më tani ende nuk dihet  se si do veprohet  nëse do të jepet përsëri me koncesion apo do të kemi liberalizim të tregut.

Nisur nga ky fakt importuesit i bëjnë apel qeverisë që të liberalizojë tregun për vendosjen e pullave fiskale  duke e konsideruar edhe si një masë të rëndësishme në përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!