Bizneset kërkojnë më shumë hua/ Bankat tregohen të kujdesshme në aprovimin e kredive

schedule15:46 - 22 Tetor, 2024

schedule 15:46 - 22 Tetor, 2024

Kompanitë kanë kërkuar më shumë mbështetje financiare për investime. Banka e Shqipërisë ka publikuar një analizë mbi kreditimin ku theksohet se rritja e kërkesës për kredi ishte e pranishme në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në financimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.

Në gjykimin e bankave, përmirësimi i mëtejshëm i tablosë makroekonomike nxiti kërkesën më të lartë për kredi, për të dytin tremujor në radhë. Po ashtu, në gjykimin e bankave, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Por pavarësisht kësaj shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e ulët në tremujorin e tretë.

Faktorët që sollën një raport më të lartë të kredive të refuzuara për bizneset në këtë tremujor ishin politikat e bankave lidhur me kolateralin, dhe pasqyrat financiare të bizneseve. Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.3 miliardë lekë në gusht të vitit 2024, me një rritje  prej 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti  më parë. Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e katërt të vitit.

Ecuria e turizmit ka nxitur bizneset që operojnë në këtë sektor që të shtojnë investimet. Po ashtu edhe standardet e kreditimit për individët u shtrënguan në tremujorin e tretë të vitit 2024, si në kreditë konsumatore, ashtu edhe në ato për blerjen e banesave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!