Bizneset e qytetarët të frikësuar nga rritja e çmimeve, BSH: Pritshmëri negative për të ardhmen

schedule16:11 - 8 Gusht, 2022

schedule 16:11 - 8 Gusht, 2022

Bizneset dhe konsumatorët  parashikojnë përkeqësim të gjendjes financiare  në muajt në vijim. Kjo është e ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve dhe efektet që ato do të japin në punësime apo në gjendjen financiare të bizneseve.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë treguesi i ndjesisë ekonomike rezultoi në rënie me rreth 2.5 pikë në muajin korrik. Rënia u përcaktua nga përkeqësimi i besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë si në  industri,  ndërtim, shërbime  dhe  tregti. Ndërkohë,  treguesi  i  besimit  të  konsumatorëve regjistroi pothuajse të njëjtat vlera si një muaj më parë. Rënien më drastike e ka pësuar sektori i shërbimeve me 6.1%.

Bizneset  në  aktivitetin  e  shërbimeve  presin një reduktim të ndjeshëm të punësimit aktual. Vlerësime negative për situatën ekonomike ka edhe sektori i industrisë dhe treguesi i besimit në këtë  sektor ka rënë me 3.2%.

Edhe treguesi i Besimit në Ndërtim regjistroi rënie me 1.9 pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë, kjo  u ndikua  nga përkeqësimi i balancës për aktivitetin ndërtues, ashtu edhe nga treguesi për kontratat porositëse.

Ndërkohë, vlerësimi i konsumatorëve vijon të jetë në të njëjtin nivel. Ata presin që situata e tyre financiare dhe gjendja e përgjithshme e ekonomisë në të ardhmen të jetë në rënie. Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, kundrejt pritjeve për ngadalësim të tyre në të ardhmen. /abcnews.al