Bizneset deri në 10 mln nuk dalin nga TVSH, Bujar Bendo: Konfuzion dhe burokraci në sistemin tatimor

schedule17:36 - 22 Shkurt, 2021

schedule 17:36 - 22 Shkurt, 2021

Nga Eblina Mile

Bizneset e vogla nuk po arrijnë që të dalin nga skema e TVSH-së . Bujar Bendo, ekspert ekonomie, auditues sqaron se problem është fasha e subjekteve me xhiro 8-10 mln lekë të cilat ende nuk janë përjashtuar nga TVSH dhe kanë mbetur peng e sistemit tatimor .

Kjo ka krijuar kosto të deklarimit të subjekteve për këtë vit.

“Nga ana e tatimeve ka pas probleme sepse është thënë se kush subjekt ka bërë deri në 5 mln do ta kalojmë automatikisht pa TVSH ndërsa kush ka bërë mbi 10 mln do të rishikohet, një gjë e tillë duhet ti japësh kohë tatimeve por ka krijuar kosto në vijimësinë dhe në deklarimin e subjekteve për 2021. Një subjekt nuk mund ta mbash varur, pasi ka ikur koha e deklarimit për janarin e 2021, një gjë e tillë shton dhe burokraci të shtuara”, ka thënë ai.

Kjo situatë ka ardhur si pasojë  e zbatimit të vonuar të ndryshimit të ligjeve fiskale  nga administrata tatimore e cila në këtë moment është e mbingarkuar.

“Tatimet janë të vonuara në njoftimin dhe në vënien në zbatim të ligjeve dhe koha në të cilën ne flasim është shumë e ngarkuar”, ka thënë ndër të tjera Bendo.

Burokraci të shumta po hasin edhe bizneset që duhet të bëhen pjesë e fiskalizimit. Ekspertët theksojnë se ky proces vetëm po e rëndon edhe  më shumë biznesin.

Që prej 1 janarit qeveria ka realizuar një sërë ndryshimesh fiskale siç është heqja e TVSH për bizneset deri në 10 mln dhe e tatim-fitimit për bizneset me xhiro deri në 14 mln lekë./abcnews.al