Bitcoin në minimumin historik, monedha virtuale sa vjen e humb terren

schedule18:32 - 17 Janar, 2018

schedule 18:32 - 17 Janar, 2018

Bitcoin vazhdon të pësojë rënie të vlerës së saj në tregjet financiare, në një kohë kur investitorët ndihen të trembur dhe fuqitë ekonomike aziatike po kufizojnë aksesin në tregun elektronik të këmbimit.

Monedha virtuale Bitcoin është këmbyer këtë të mërkurë me më pak se 10 mijë dollarë, për herë të parë në këtë kuotë që prej dhjetorit të kaluar. Vlera e saj ra në 9 mijë e 958 dollarë para se të pësonte një rekuperim të lehtë, raporton agjencia e lajmeve ekonomike Koindesk. Kjo shifër përbën një rënie me thuajse 50 për qind, që nga piku prej 19 mijë e 800 dollarësh që monedha arriti rreth pesë javë më parë.

Ndërkohë, kripto-valutat e tjera si Ethereum, Ripple, Litecoin kanë pësuar gjithashtu rënie të vlerës në ditët e fundit. Ekspertët kanë ngritur shqetësimin se në treg është krijuar një fluskë që rrezikon të plasë për faktin se investitorët u vërsulën ndaj një aseti, të cilin nuk e njihnin mjaftueshëm. Ende nuk dihet me siguri se çfarë ka shkaktuar këtë rënie të Bitcoin, por spekulohet që situata të jetë përkeqësuar pas ndërhyrjeve të enteve rregullatore, që kanë paralajmëruar kufizimin e shit-blerjes së saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!