“Bisha nga lindja” mbërthen Europën…

schedule18:53 - 26 Shkurt, 2018

schedule 18:53 - 26 Shkurt, 2018

I ftohti siberian ka mbërthyer Europën, duke sjellë borë e acar në metropolet kryesore të kontinentit të vjetër. Temperaturat kanë rënë deri në minus 20 gradë, nga Italia në Gjermani.

I ftohti siberian, me reshje të dendura bore, ka përfshirë mbarë Europën, nga Italia në Gjermani e deri në Mbretërinë e Bashkuar. Në Romë temperaturat e acarta nuk kanë penguar qytetarët të mblidhen pranë Koloseut për t’u argëtuar e për të bërë foto. Po ashtu, të tjerë janë mbledhur pranë parkut arkeologjik të kryeqytetit italian dhe në sheshin Shën Pjetër, tërësisht i zbardhur.

Por veç argëtimit moti i keq ka shkaktuar edhe probleme. Vonesat në transportin publik kanë qenë të shumta, ndërkohë që shkollat janë mbyllur. Në terren ka zbritur ushtria me mjetet e saj për të pastruar dëborën. Në veri të Italisë, në rajonet e Venetos dhe Emilia Romanjës bora ka pushuar dhe është kthyer dielli, por temperaturat mbeten të acarta, deri në minus 7 gradë në qytet dhe minus 23 në zonat malore dhe pritet të vazhdojnë në këto nivele për disa ditë. Edhe në Gjermani reshjet e borës kanë krijuar probleme të shumta.

Trafiku i mjeteve është vështirësuar për shkak të dendësisë, ndërkohë që banesat sociale janë mbushur plot dhe autoritetet druhen se nuk do të mjaftojnë për të pastrehët. Temperaturat arrijnë deri në minus 20 gradë. Një situatë e ngjashme paraqitet në Austri dhe Suedi. Ndërkohë, në Angli vërshimi i të ftohtit siberian është pagëzuar me emrin “Bisha nga Lindja”. Shërbimi meteorologjik ka dhënë alarmin ngjyrë të verdhë për shkak të të ftohtit dhe reshjeve, duke paralajmëruar edhe një rënie të temperaturave deri në minus 15 gradë, sot dhe në ditët e ardhshme.

Aktualisht i ftohti ka prekur më së shumti pjesën jug-lindore të Anglisë, ndërsa të martën do të spostohet drejt pjesës perëndimore, në Midlends dhe Uells dhe në Skoci e Irlandë mes së mërkurës dhe së enjtes. Probleme ka patur në trafikun rrugor e hekurudhor, ndërsa në aeroporte disa fluturime janë anuluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!