Bisedimet me Greqinë/Komisioni i Jashtëm takon Presidentin

schedule11:06 - 2 Mars, 2018

schedule 11:06 - 2 Mars, 2018

Anëtarët e komisionit të jashtëm takuan kreun e shtetit Ilir Meta në ambientet e Presidencës, ku u zhvillua takimi informues i kërkuar nga deputetët dhe i mbështetur menjëherë nga presidenti Meta. Qëllim i takimit ishte informimi i deputetëve lidhur me përparimin në bisedimet që shteti shqiptar zhvillon me atë Grek lidhur me delimitimin e kufirit detar.

Anëtarët e komisionit parlamentar të punëve të jashtme, në orën 8 të mëngjesit të së premtes iu drejtuan institucionit të Presidencës.

Takimi, i organizuar vetëm një ditë më parë, materializoi gatishmërinë e palëve, të shprehur publikisht gjatë seancës dëgjimore të ministrit Ditmir Bushati në komisionin e jashtëm,  për t’u takuar me kreun e shtetit në një mbledhje informuese lidhur me bisedimet e kryera derimëtani dhe procedurat për negociatat e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar.

Dy orë zgjati takimi, i limituar edhe për shkak të angazhimit të Presidentit në aktivitetin e 574 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Në përfundim ishte korrektësia e procedurave të ndjekura nga Presidenti Ilir Meta ajo që bëri bashkë palët në këto bisedime. Kryetarja e komisionit të jashtëm Mimi Kodheli tregoi edhe çështjet rreth të cilave u fokusuan bisedimet.

“Ndaj të njëjtin mendim me të, shtyllat ishin, marrëveshja nuk duhet të dështojë dhe duhet të jetë në të mirë të të gjithë vendeve, delimitimi i gjithë vendeve të Ballkanit”- deklaroi Kodheli.

Burime pranë këtij takimi thanë për ABC News se kreu i shtetit Ilir Meta gjatë bisedës e kishte cilësuar kërkesën e parë të ministrit Bushati për autorizim për plotfuqishmëri, të një cilësie të dobët, e të pahasur edhe në autorizimet më të thjeshta që Kreu i Shtetit kryen.

Mungesa e transparencës, e denoncuar nga demokratët dhe e mbështetur nga Presidenti sipas tyre, ndau opozitën me mazhorancën.

“Rezultoi shqetesimi i opozitës, mungesa e transparencës nga ministria e jashtme, edhe në marrëdhënie me Presidentin nuk ka qenë korrekte. shqetësimi si opozitës është mungesa e transparencës, pse është kjo mungesë dhe a ka arsye për të fshehur?

Çështjes së ngritur nga kreu demokrat i Kuvendit Edi Paloka, për garantimin e integritetit të grupit negociator, duke hequr e çdo hije dyshimi që ekziston ndaj tij, Presidenti Ilir Meta mësohet t’i ketë shprehur bindjen se ky grup lë vend për përmirësim. Propozimin e zbardhi shefja e komisionit të jashtëm.

“Propozimi ishte dhe dakordësia jonë ishte që grupit mund ti atashohen profesorë të së drejtës ndërkombëtare që mund të mos jenë pjesë por janë këshilltarë të mirë”.

Në përfundim të takimit Presidenti i republikës përmes një njoftimi për media tha se informoi deputetët me qëndrimin e tij duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet. Presidenti gjithashtu vlerësoi frymën bashkëpunuese dhe konstruktive që karakterizoi këtë mëngjes pune me deputetët e Komisionit Parlamentar për politikën e jashtme. /abcnews.al