Një mundësi për të ulur tensionet dhe për të shmangur një luftë rajonale. Media amerikane Axios raporton se një takim i nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohet të premten në qytetin turk të Stambollit, me palët që do të kenë temë kryesore arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Teheranit.
Axios, e cila citon dy burime nga Shtëpia e Bardhë, shkruan se Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen në këtë takim nga i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ndërsa Irani do të përfaqësohet nga ministri i tyre i Jashtëm, Abas Aragçi. Burimet që folën për Axios deklaruan se takimi i së premtes konsiderohet si mundësia më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit, që do të sillte një tërheqje të Presidentit amerikan Donald Trump nga një sulm ushtarak ndaj këtij shteti.
Nëse gjërat shkojnë sipas planit dhe takimi do të mbahet ditën e premte, ky do të ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë që pas dështimit të negociatave të qershorit të vitit të shkuar, që sollën luftën 12-ditore Izrael–Iran. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se vetëm një marrëveshje e shpejtë mund të shmangë një përplasje të fortë ushtarake.
Axios shkruan se takimi i mundshëm mes zyrtarëve iranianë dhe atyre amerikanë vjen si rezultat i përpjekjeve intensive diplomatike të Turqisë, Egjiptit dhe Katarit përgjatë ditëve të fundit. Pavarësisht lajmit për një takim mes palëve, në prapaskenë mbetet edhe hendeku në këto bisedime. Qëndrimi i administratës Trump se çdo marrëveshje duhet të përfshijë jo vetëm programin bërthamor të Iranit, por edhe arsenalin e tij raketor dhe aleatët rajonalë, bie ndesh me qëndrimin e Teheranit se në tryezë duhet të jetë vetëm çështja bërthamore. Ende nuk është e qartë se si Witkoff dhe Aragçi do të përpiqen të kapërcejnë këtë diferencë.
I dërguari i administratës Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Izraelit këtë të martë, ku do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Në axhendën e tij përfshihet edhe një takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite (IDF), Ejall Zamir, i cili sapo është kthyer nga një vizitë pune në Uashington, ku informoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Kein, për planet mbrojtëse dhe sulmuese të Izraelit në rast të një lufte me Iranin.
Më pas, Witkoff do të udhëtojë në Abu Dabi për bisedime trepalëshe paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës të mërkurën dhe të enjten, përpara se të udhëtojë drejt Stambollit, nëse do të konfirmohet takimi i tij me ministrin e Jashtëm iranian Abas Aragçi.


