Flamurtari ka zhvilluar ditën e djeshme një miqësore me Orikun dhe ka barazuar me rezultatin 0-0. Pas kësaj ndeshjeje, trajneri Luan Birçe ka folur për televizionin lokal “6+1 Vlora”. Fillimisht ai foli për rëndësinë e këtij testi: “Merr rëndësi kjo miqësore, pasi është një test para ndeshjes së kampionatit në Laç. Shtyrja e kampionatit na dha mundësi të stërvitemi dhe të bëjmë miqësore për të parë lojtarët më në formë”.
SITUATA DHE LAÇI– “Ekipi vazhdon në atë ritmin e tij, edhe pozitiv edhe jo, për probleme të ndryshme që dihen dhe janë evidente. Shkojmë me mendimin për të marrë diçka në ndeshjen me Laçin. Fusha do tregojë gjithçka.
Uroj të vijë fitorja e parë. Në çdo ndeshje kemi tentuar të fitojmë, pavarësisht emrit që kanë, ose më saktë pozicionit në renditje që kanë kundërshtarët, pasi nuk i vë dot mbi Flamurtarin. Kemi sulmuar, kemi pasur raste, por nuk kemi marrë dot rezultatin. Uroj me Laçin të kemi fat”, ka shtuar Birçe.
MESAZHI – Trajneri i Flamurtarit ka edhe një mesazh për futbollistët: “Që ditën e parë që jam paraqitur si trajner i parë, u kam thënë çunave që do të luajë ai që është i rregullt në stërvitje, ai që jep maksimumin, ai që është më mirë fizikisht dhe mendërisht.
Për mua nuk ka emra, të gjithë lojtarët janë njëlloj. Fusha e ka treguar që shpesh herë kemi besuar tek emrat, por nuk ka rezultuar vendim i mirë. Njerëzit që do jenë me zemër, me mendje, me shpirt, me këmbë për të luajtur futboll, do të hyjë në fushë pa asnjë hezitim”. /abcnews.al