Bindjet e të rinjve arabë për Kinën dhe SHBA-në po ndryshojnë

schedule16:19 - 7 Gusht, 2023

schedule 16:19 - 7 Gusht, 2023

Ndërsa investimet dhe tregtia e Kinës në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut rriten, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Graham Kanwit, pikëpamjet e të rinjve arabë për vendin aziatik po ndryshojnë, ashtu siç po ndryshojnë edhe bindjet për Shtetet e Bashkuara.

Nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme, infrastrukturë dhe tregti në Lindjen e Mesme, Kina po rrit ndikimin e saj në rajon duke përfshirë edhe te arabët nën 30 vjeç, të cilët përbëjnë 60 për qind të popullsisë.

Në hulumtimin e saj në rajon me të rinjtë arabë të moshave 18 deri në 24 vjeç, firma e komunikimit ‘BCW’ zbuloi se të rinjtë nga 18 vende i konsiderojnë Kinën dhe Turqinë si dy aleatët kryesorë të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

“Kina shihet si aleati kryesor nga 80 për qind e të anketuarve, që është dhe shifra më e lartë në katër vitet e fundit, krahasuar me Shtetet e Bashkuara, me 72 për qind”, thotë Sunil John, President i firmës ‘BCW’ për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, që kreu hulumtimin.

Ndryshimi në bindjen e të rinjve arabë është pjesërisht për shkak të nismës ‘Një Brez, Një Rrugë’ të Pekinit, që synon të krijojë lidhje dhe forcojë tregtinë, duke investuar në projektet globale të infrastrukturës, thotë zoti John.

“Afro 28.5 për qind e investimeve në nismën ‘Një Brez, Një Rrugë’ janë brenda tregjeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut”, shton më tej ai.

Një arsye tjetër, sipas tij, është se investimet kineze bëhen pa kushte.

“Rinia arabe e sheh Kinën, siç thuhet edhe në politikat e saj, si jo-ndërhyrëse. Pra, në një farë mënyre, Kina nuk përfshihet në politikën e rajonit”, thotë zoti John.

Ai shton se me rritjen e pronësisë kineze mbi pasuritë e paluajtshme, interesat e biznesit dhe turizmit, ndikimi ekonomik i Kinës në rajon do të vazhdojë të rritet.

“Lindja e Mesme ose vendet e Gjirit ofrojnë gjysmën e naftës që i nevojitet Kinës. Kina në shumë mënyra ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si partnerin kryesor tregtar i rajonit dhe kjo ndodhi në vitin 2010”, thotë më tej zoti John.

Por jo të gjithë kanë qëndrim pozitiv për Pekinin.

“Mendoj se ata investojnë kryesisht në projekte ku kërkohet të punosh shumë për pak para”, thotë Saleh Ahmed, student i Universitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe.

SHBA-të akuzojnë Kinën për punë të detyruar, veçanërisht të ujgurëve dhe grupeve të tjera të pakicës myslimane, një akuzë që Kina e mohon. Studenti Saleh Ahmed thotë se ai, nëse i jepet mundësia të zgjedhë, më shumë do të donte të jetonte në SHBA sesa në Kinë … duke i bërë jehonë asaj që të rinjtë e tjerë arabë thanë në hulumtim.

“SHBA ka shumëllojshmëri. Ajo i bënë bashkë arabët, joarabët, evropianët dhe të tjerët nga e gjithë bota”, thotë Falah el-Saidi, student në Universitetin Khalifa në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Gjashtëdhjetë për qind e të rinjve arabë të anketuar thanë se në pesë vitet e ardhshme, megjithatë SHBA do të ishte një aleat më i rëndësishëm për rajonin sesa Kina.

Ndërsa shumë e shohin pozitivisht demokracinë amerikane, pikëpamjet për praninë ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme janë më të përziera. Uashingtoni ka më shumë se 30 mijë trupa në Lindjen e Mesme, shumica prej tyre në Kuvajt dhe Bahrein.

“Afro 60 për qind duan që SHBA të shkëputet nga rajoni. Por nga ana tjetër, ata gjithashtu i shohin Shtetet e Bashkuara si një shembull të madh të demokracisë, duke e parë këtë si një model që do të donin vendet e tyre ta kopjonin”, thotë Sunil John, President i firmës ‘BCW’ për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, që kreu hulumtimin.

Duke anketuar të rinjtë arabë, organizata që kreu hulumtimin shpreson të ndikojë në vendimet e biznesit dhe politikë-bërjen në Lindjen e Mesme./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!