“Bindja Demokratike” regjistrohet në gjykatë

schedule17:18 - 25 Prill, 2019

schedule 17:18 - 25 Prill, 2019

Bindja Demokratike është tashmë zyrtarisht partia më e re në Shqipëri. Regjistrimi u bë në Gjykatën e Rrethit Tiranë, pasditen e së enjtes. Partia e Patozit ka deklaruar pjesëmarrjen në vendoret e 30 qershorit dhe ka depozituar edhe kërkesën në KQZ.

Bindja Demokratike është zyrtarisht partia më e re në Shqipëri. Pasditen e 25 prillit, Gjykata e Rrethit Tiranë njohu partinë e krijuar nga ish- demokratët, me koordinator Astrit Patozin. Pas regjistrimit, një nga themeluesit, Fabian Topollaj, tregon ambicien e forcës së re politike që thotë se rreshtohet në opozitë.

“Nuk kemi themeluar thjesht një parti për arsyet që themelohen partitë vetëm në shoqëritë normale. Ne mendojmë se koha ka nevojë për krijimin e kësaj partie sepse ne mbrojmë disa interesa që jemi të bindur që janë interesa dhe qëllime të gjithë shoqërisë shqiptare, e cila është ndryshimi rrënjësor i sistemit dhe rendit të gjërave në Republikën e Shqipërisë”, tha ai.

Partia Bindja Demokratike më herët siguroi 4 mijë firma, të mjaftueshme për regjistrimin e saj në Gjykatë. Anëtarët e bordit të përkohshëm janë Arbër Skënderi,Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli.

Këta anëtarë janë mandatar deri në zgjedhjen e forumeve drejtuese sipas statutit të parties. Bindja Demokratike është parti parlamentare pasi një prej themeluesve, Andi Përmeti, pranoi mandatin e deputetit dhe u betua të enjten në kuvend.

Ky është një avantazh që i shmang detyrimin ligjor të paraqitjes së 30 mijë firmave, nëse do ishte parti jo parlamentare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!