Nga Fatos Tarifa
Më në fund, erdhi. Ai, Bill Clinton.
Erdhi edhe në Tiranë, në kryeqytetin e republikës së parë shqiptare. Siç ka qenë, në kushte e rrethana krejt të tjera, tri herë edhe në Prishtinë, sot kryeqyteti i republikës së dytë të shqiptarëve.
E kishim pritur të vinte shumë kohë më parë. E kemi pritur të vijë për më shumë se dy dekada. Do të kishim dashur të vinte kur ishte president i vendit të tij, atëherë kur ishte njeriu më i fuqishëm i globit, kur Amerika e tij dhe NATO fituan Luftën Për Kosovën.Në atë kohë, më 1999, si president i Shteteve të Bashkuara, presidenti Clinton shkoi në Kosovën e porsaçliruar për të përshëndetur popullin që ai ndihmoi të çlirohej nga zgjedha sërbe dhe për t’u thënë shqiptarëve të Kosovës ato fjalë që do të mbahen mend për një kohë të gjatë: Ne fituam luftën; ju duhet të fitoni paqen.
E vizitoi Kosovën edhe dhjetë vite më vonë, më 2009, pasi vendi binjak i Shqipërisë ishte bërë një shtet sovran dhe i pavarur, edhe më 2019, kur Kosova po përpiqej të ndërtonte—dhe të fitonte—paqen e saj.
Dje, Bill Clinton erdhi në Tiranë në një kohë kur Shqipëria, pa as më të voglin dyshim, ka bërë e po bën përpara vendosmërisht, ndërsa Kosova, e drejtuar nga një qeveri me Albin Kurtin në krye, duket se e ka të vështirë ta fitojë paqen. Dështimi i Kurtit e legjitimon më së miri shqetësimin e shprehur nga presidenti Clinton 24 vite më parë dhe duke u dhënë fjalëve të tij peshën e një urtësie proverbiale.
Në mediat tona, kjo vizitë e Clinton-it në Tiranë u vlerësua si një vizitë historike. Ndonjë e quajti atë një vizitë “zyrtare”. Nuk ishte një vizitë shtetërore sigurisht; nuk ishte as një vizitë zyrtare. Nuk ishte, sigurisht, as një vizitë pune. Ishte thjesht një vizitë private. Por një vizitë private e tillë që, edhe pse s’kishte protokollin e një vizite shtetërore apo zyrtare, është dhe do të mbetet një vizitë historike.
Para mbërritjes së tij dhe, pra, pa i dëgjuar ende fjalët e tij, unë nuk do e kisha cilësuar këtë vizitë private të një ish-presidenti amerikan një vizitë historike. E tillë do të kish qenë nëse Clinton do të kishte ardhur në Tiranë gjatë kohës kur ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë, siç erdhi—në kushte dhe për arsye krejt të tjera—presidenti George W. Bush, në qershor 2007.
Por, fjala që mbajti mbrëmë para qytetarëve të Tiranës, me peshën e autoritetit të vet moral e politik, si një prej presidentëve më të shquar në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe si shpëtimtari i shqitarëve të Kosovës, e bënë këtë vizitë në Tiranë një vizitë vërtet historike. Që do të mbahet mend në Tiranë dhe në Prishtinë për një kohë të gjatë. Gati njëlloj si fjala e presidentit Reagan para kombit gjerman në Berlinin Perëndimor më 1987.
Vetë vizita e presidentit Clinton, atmosfera miqësore në të cilën ai u prit nga qytetarët e Tiranës, skenari dhe, veçanërisht, dekori shumë i bukur në të cilin ai u prit dhe në të cilin iu dha fjala, e bënë ngjarjen e mbrëmshme një festë të vërtetë. Ishte e tëra një “simfoni” e përkryer, siç u shpreh një shoku im.
E përmenda këtë element pasi, nëse ka një gjë, për të cilën kryeministrit të vendit “nuk ia ha qeni shkopin”, kjo është mjeshtëria e tij për t’u dhënë një shkëlqim estetikisht spektakolar marrëdhënieve me publikun.
Mbrëmja e djeshme para ndërtesës së kryeministrisë ishte vërtet një spektakël. Një spektakël American style për të nderuar dje mikun e madh të shqiptarëve dhe sot, ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Ai spektakël solli një element kuptimplotë—dhe shumë bukur të gjetur—me atë grup fëmijësh e të rinjsh nga Kosova, të lindur pas vitit 1999, të cilëve prindërit e tyre u kanë dhënë emrat Clinton dhe Hillary. Këta fëmijë e të rinj do i mbajnë përjetë këta emra të dashur për ta, siç janë e do të mbeten The Clintons të vlerësuar në kujtesën historike dhe në historinë politike të të gjithë shqiprarëve.
Ka një boulevard në Prishtinë që quhet “Bulevardi Klinton”. Ka edhe një shtatore të presidentit Clinton në atë qytet, edhe një shkollë që mban emrin e tij. E ndjera Madeleine Albright gjithashtu kujtohet në Prishtinë, veç të tjerash, edhe me një bust të bukur të saj. The Clintons dhe Amerika janë bërë tashmë ontologji e jetës së shqiptarëve në Kosovë.
Në Shqipëri, ne u kemi ngritur shtatore presidentëve Woodrow Wilson dhe George W. Bush. Wilson (president i Shteteve të Bashkuara në vitet 1913-1921) kujtohet dhe venerohet në Shqipëri sikur të ishte ende sot (jo një shekull më parë), president i Shteteve të Bashkuara. Atij i jemi mirënjohës për garancitë që i dha shtetit të pavarur shqiptar, të sapoformuar dhe të sapodalë nga Lufta e Parë Botërore tërësisht i shkatërruar, se integriteti i tij territorial nuk do të cënohej prej lakmive të fqinjëve të saj.
George W. Bush vizitoi Tiranën për t’u dhënë shqiptarëve—në të dyja anët e kufirit që i ndan dy shtetet tona—dy sihariqe të mëdha. Ai i siguroi qytetarët shqiptarë se vendi i tyre do të bëhej shumë shpejt anëtar i NATOs dhe, po kështu, nga Tirana, i siguroi shqiptarët e Kosovës se ata, shumë shpejt do të kishin, më në fund, shtetin e tyre të pavarur.
Ajo vizitë presidentit Bush e vuri Shqipërinë në hartën e vendeve që janë vizituar nga një president amerikan. Vizita këtë herë e presidentit Clinton dëshmon, veç të tjerash, se lidhja që tashmë ekziston mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara nuk është koniukturale, por një lidhje e qëndrueshme e vullnetmirë.
Kjo lidhje nuk ndikohet nga partitë politike që ndërrohen në krye të administratës amerikane, por mund të ndikohet nga zhvillime të padëshiruara që kanë si autorë individë shqiptarë, që me veprimet dhe retorikën e tyre i rrezikojnë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe, bashkë me to, edhe interesat amerikane në Ballkan—Sali Berisha dje në Tiranë dhe Albin Kurti sot në Prishtinë—duke provokuar indinjatë te aleatët tanë më të rëndësishëm përtej Atlantikut.
Në fjalën e tij mbrëmë, presidenti Clinton e cilësoi “marrëzi” (nuk u përpoq të zgjidhte ndonjë fjalë tjetër dhe as një gjuhë më diplomatike) atë çfarë, për shkak të qëndrimeve të qeverisë Kurti, po ndodh këto kohë në Kosovë.
Instinktivisht më dalin këto fjalë: Albin! Hapi veshët! Por, mbi të gjitha, hap mendjen tënde të vogël për të mirën e interesave të mëdha të shqiptarëve të Kosovës! Kur flet Bill Clinton, flet Amerika. Është zëri i saj, zëri i demokracisë më të madhe e më të fuqishme të globit. Nëse nuk ke veshë të dëgjosh dhe aftësinë të kuptosh, largohu, mos i tërhiq bashkëqytetarët e tu në një rrugë në të cilën, për shkak të dritshkurtësisë tënde, do të mbeten pa miq dhe pa përkrahje.
Dhe Edi Rama? Dy fjalë për të, këtë herë si kryeministri-artist, apo si artisti-kryeministër që priti presidentin Clinton. Nuk dua të spekuloj për arsyet pse Clinton erdhi në Tiranë, kush e solli dhe si. Unë e kam një ide, por këto s’kanë rëndësi.
Bill Clinton mund të kishte ardhur në Tiranë edhe më parë. I ka pasur gjithnjë mundësitë. Nuk erdhi këtë herë as për të festuar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, në Tiranë, as për t’i uruar kryeminisitrit Rama ditëlindjen më 4 korrik, edhe pse vetë Rama kishte paralajmëruar me kohë se do të kishte një dhuratë të bukur për shqiptarët më 4 korrik.
Ndërsa koha e vizitës së presidentit Clinton në Tiranë nuk ka në vetvete ndonjë rëndësi për ne shqiptarët nga kjo anë e kufirit; ajo ka shumë rëndësi për shqiptarët matanë kufirit, në Kosovë, ku paqja ende nuk është fituar plotësisht dhe lufta duket se vazhdon në forma e mënyra të tjera.
Nga ana tjetër, edhe pse Clinton mund ta kishte vizituar Tiranë më parë, asnjë kryeminsitër tjetër që mund të kish qenë në detyrë në atë kohë nuk do i kishte ofruar atij—dhe asnjë personaliteti tjetër të huaj të shquar—një pritje festive estetikisht dhe përmbajtësisht kaq të bukur sa ajo që organizoi dhe dirigjoi Edi Rama.
Thoni ç’të doni për të, por mos ia mohoni meritën./Dita