Bilbili i Jugut që u rrit mes tingujve / Rrëfimi prekës i Irini Qirjakos: Kur ngjitem në skenë, jam tjetër njeri

schedule11:32 - 12 Qershor, 2025

schedule 11:32 - 12 Qershor, 2025

Irini Qirjako, një nga zërat më të dashur të muzikës popullore shqiptare, është shumë më tepër se një këngëtare është një gur themeli i polifonisë toske, një zë që ka lëkundur emocione në skenat brenda e jashtë vendit.

E quajtur me të drejtë “bilbili i polifonisë”, Irini Qirjako rrëfen në “Pas Mesnate” me lot në sy dhe zë të dridhur se Asambli ku u formua është më shumë se një institucion për të është vetë jeta, vetë rrënja e saj si artiste.

“Kur ngjitem në atë skenë, jam tjetër njeri,” thotë ajo, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk lind nga ambicia, por nga dashuria e pamatshme për atë që je dhe për atë që u jep të tjerëve.

“U preka, sepse janë emocione. Një karrierë e gjatë artistike, është një jetë e tërë me kolegë dhe koleget. Një dashuri e madhe, një përkushtim i madh dhe një punë kolosale. Asambli për mua është shpirti im, kur ngjitem në atë skenë jam tjetër njeri. Në atë skenë u skalita si artiste, u linda dhe u rrita në atë skenë për vite të tëra, më njohu gjithë publiku dhe diaspora shqiptare në atë institucion, që është institucioni më i lartë i artit shqiptar.”

Disa ëndrra lindin në heshtje, mes mureve të një shtëpie të thjeshtë, aty ku zëri i një fëmije ngjan si një pëshpëritje e fatit. Irini Qirjako, një nga ikonat e muzikës popullore shqiptare, tregon se e nisi rrugëtimin e saj artistik pa e ditur që po ndërtonte një legjendë.

Ishte vetëm pesë vjeçe kur këndonte për qejfin e saj, pa skenë, pa publik, por me një shpirt të mbushur me tinguj. Ishte komshia ajo që e dëgjoi përmes oxhakut dhe tha me bindje: “Irini do të bëhet një artiste e madhe.” Dhe ashtu ndodhi. Sepse talenti, kur lind me pasion dhe përkëdhelet nga zemra, nuk mund të qëndrojë i fshehur  ai e gjen rrugën drejt dritës. Irini Qirjako është sot një zë që jo vetëm këndon, por frymëzon.

“Kam qenë pesë vjeçe dhe këndoja shumë, këndoja për qejfin tim në shtëpi. Mbaj mend që këndoja këtë këngën “më dërgoi babai me shqerra”. Nuk më  kishte pikasur asnjë përveç komshies, shtëpitë tona ishin një katëshe dhe oxhaku jonë, korrespondonte me oxhakun e asaj. Dhe mbaj mend që kur vinte mamaja nga puna i thoshte që “Irini do të bëhet një artiste e madhe”, mamaja nuk e besonte, por do ti që ma ndolli.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!