Bilanci për VAR-in, takim në FSHF me kapitenët e trajnerët e Superiores

schedule16:15 - 15 Gusht, 2022

schedule 16:15 - 15 Gusht, 2022

Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri futbollistik në Shqipëri që nis pas pak ditësh, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një takim me kapitenët, trajnerët dhe drejtuesit e klubeve të kategorisë “Abissnet Superiore”.

Në qendër të diskutimeve të takimit, që  u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nga Sektori i Arbitrimit në bashkëpunim me Departamentin e Garave në FSHF, ishte ecuria e sistemit VAR, një nga projektet dhe investimet më të mëdha të FSHF-së, që u implementua për herë të parë sezonin e kaluar në kampionatin elitar shqiptar.

Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, duke bërë një analizë të sezonit të kaluar theksoi se është punuar shumë me arbitrat që në momentet e ndërhyrjes së sistemit VAR gjatë një ndeshjeje të shmangen vonesat. Kjo për arsye se sezonin debutues janë vënë re momente vonesash gjate ndërhyrjes, gjë që ka ulur ritmin e ndeshjes.

“Për këtë arsye kemi pasur një trajnim me ekspertë të FIFA-s dhe shpresojmë shumë që të jemi përmirësuar në këtë drejtim. Ishte viti i parë dhe normalisht që situata të ndërlikuara ka pasur, por ja kemi dale në mënyrën më të mirë. Gjatë sezonit të kaluar të ‘Abissnet Superiore’ kemi pasur 59 rishikime në fushë, 52 kthime vendimi, 7 konfirmime vendimi dhe nga totali prej 190 ndeshjesh sezonin e shkuar nga sistemi VAR ka pasur 459 ndërhyrje”, – tha ndër të tjera Jareci.

Përfaqësuesit e klubeve janë shprehur të kënaqur në përgjithësi nga efekti që ka pasur sistemi VAR në vendimmarrjen e arbitrave në fushën e lojës. Në fakt, implementimi i sistemit VAR në futbollin shqiptar ka pasur një ndikim tejet pozitiv duke minimizuar ndjeshëm gabimet njerëzore dhe rastet e diskutueshme, duke bërë që arbitrat të marrin vendimet më të drejta e duke shmangur kështu polemika të panevojshme.

Fokusi i këtij takimi, përveç analizës së sezonit të kaluar, ishte gjithashtu marrja e përshtypjeve dhe sugjerimeve nga aktorët kryesorë për të përmirësuar edhe më tej bashkëpunimin e lojtarëve e drejtuesve me arbitrat dhe specifikat e ndërhyrjes së sistemit VAR gjatë një ndeshjeje. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!