Bie suvaja e tavanit në shkollën 9-vjeçare, mësuesja plagoset në kokë

schedule15:18 - 12 Shkurt, 2018

schedule 15:18 - 12 Shkurt, 2018

Tavanit të një klase në shkollën 9-vjeçare “Osman Myderizi” në Tiranë i ka rënë suvaja gjatë orës së mësimit. Mësuesja e matematikës është plagosur në kokë, ndërsa nxënësit nuk kanë pësuar dëmtime. Vitin e shkuar shkolla i është nënshtruar rikonstruksionit të pjesshëm nga ndërmarrja numër 3 e Bashkisë.

Mësuesja Elbarina Toshkollari po u shpjegonte nxënësve lëndën e matematikës, kur një pjesë suvaje është shkëputur nga tavani dhe e ka plagosur në kokë.


Ngjarja ka ndodhur orën e dytë të mesimit në klasën e 9B, në katin e tretë të shkollës nëntë vjeçare “Osman Myderizi” në Tiranë.

Prindërit kanë nxituar drejt shkollës për të mësuar rreth fëmijëve të tyre sapo kanë dëgjuar lajmin në media.

Asnjë nga nxënësit nuk është dëmtuar. Menjëherë pas ngjarjes ishin zhvendosur në një tjetër klasë, ku po vijonin mësimin.

Disa prej tyre ende në ankth tregojnë për ABC Neës.

“U trembëm sepse nuk e prisnim të ndodhte. Zysha thjesht po shpjegonte papritur bie suvaja”.

Mësuesja ka marrë ndihmën e mjekëve në Qendrën Kombëtare të Traumës, ndërsa kolegët tregojnë se gjendja shëndetësore e saj është normalizuar

Shkolla nëntë vjeçare “Osman Myderizi” i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë në vitin 2004, ndërsa Gushtin e vitit të shkuar, ndërmarrja numër tre e Bashkisë së Tiranës ka kryer ndërhyrje të pjesshme.

Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë ndodh në këtë shkollë nëntë-vjeçare në Tiranë. Menjëherë pas saj, Policia Bashkiake, ajo e Shtetit dhe oficerët e Policisë Gjyqësore kqyrën vendin e ngjarjes për të nxjerrë shkakun dhe përgjegjësitë për të./abcnews.al