Bie pista Bruno Telushi te Vllaznia, vlonjati: Ndryshuan gjithçka, ofertë ofenduese!

schedule15:59 - 2 Gusht, 2021

schedule 15:59 - 2 Gusht, 2021

Bruno Telushi dhe Vllaznia mund të kishin nënshkruar ditën e sotme, por marrëveshja mes palëve nuk është arritur. Në Shkodër e kanë parë të arsyeshme të ulin ofertën e tyre, edhe pse kanë nevojë për një mesfushor tjetër qendre, pasi janë larguar Marku e Kalezic.

Oferta e re e drejtuesve të Vllaznisë nuk është pritur mirë nga Bruno Telushi, i cili është kontaktuar nga gazetari i abcnews.al, Vladimir Prenga, pas zërave të shumtë që e bënin të kryer marrëveshjen. Vlonjati ka sqaruar gjithçka ka ndodhur. Sigurisht është vetëm njëra anë e medaljes, versioni i tij.

Telushi mes të tjerash është shprehur: “Ndjehem i ofenduar nga oferta e Vllaznisë. Me dëshirë të madhe doja të shkoja në Shkodër, për atmosferën dhe tifozerinë shkodrane. Kam pasur prioritet diçka jashtë dhe rashë dakord të pranoja ofertën e Vllaznisë.

Ata ishin shumë larg ofertës fillestare, më ofruan shumë pak dhe sinqerisht ndjehem i ofenduar. Më vjen keq, sepse kam pasur shumë kontakte nga dashamirës të futbollit shkodran.

Ua kam konfirmuar dëshirën të luaja për Vllazninë këtë vit, por çdo gjë ra poshtë për shkak se Vllaznia më ofroi rreth 40% më pak se oferta fillestare”. Telushi u tentua nga Vllaznia që para ndeshjeve të kupave të Europës, por palët nuk gjetën marrëveshje. Gjithsesi pati sërish bisedime, që tani janë mbyllur përfundimisht. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!