Bie numri i të diplomuarve në të gjitha ciklet e studimit, rrudhja më e ndjeshme në arsimin 9 vjeçar

schedule15:54 - 13 Maj, 2022

schedule 15:54 - 13 Maj, 2022

Nga Ajgena Korbi

Të diplomuarit në të gjitha nivelet e arsimit në vend  po vijnë në rrudhje. Vitin e fundit akademik mbaruan shkollën rreth 96 mijë nxënës dhe studentë ose  2.2% më pak se një vit para.

Instituti i Statistikave në të dhënat e fundit të publikuara ka  nxjerr në pah uljen e numrit të të diplomuarve  në të gjitha nivelet e arsimit, atë 9 vjeçar, të mesëm dhe të lartë. Rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve vihet re në arsimin bazë.

Rreth 32 mijë fëmijë lanë bankat e shkollave 9 vjeçare vitin  2020 – 2021  duke shënuar një ulje me 4.3% krahasuar më vitin e para.

Nga të diplomuarit në këtë cikël arsimor 52,9 % ishin djem dhe 47,1 % vajza. Rreth një mijë prej tyre referuar shifrave të Institutit të Statistikave nuk e vijuan ose përfunduan arsimin e mesëm.  Të paktën brenda vendit.

Nga bankat e gjimnazeve vjet dolën rreth 31 mijë nxënës. Bie në sy se  12.3% e të diplomuarve mbaruan  shkollat profesionale. Ndryshe nga shkolla 9 vjeçare  arsimin e mesëm e përfunduan më shumë vajza.

Rënie ka pësuar dhe numri I studentëve. Ndonëse më pak e ndjeshme se në dy ciklet bazë të studimit. Rreth 32 mijë e 690 të rinj morën diplomën e shkollës së lartë vjet  duke shënuar një ulje me 0.6% krahasuar me vitin 2019-2020.

Më shumë se gjysma e tyre përfunduan programin Bachelor dhe rreth 40% atë Master. 66% e  të rinjve  që mbaruan universitetin  ishin  vajza. Mbi ¼ e studentëve u diplomuan për biznes, administrim dhe ligj.   Për djemtë më pas më të pëlqyera ishin degët e inxhinierisë, të shërbimeve dhe  teknologjia e informacionit ndërsa për vajzat  arsimi, artet dhe shkencat sociale.

Sipas ekspertëve të arsimit dy janë arsyet kryesore për rënien e numrit të nxënësve në shkollat e vendit,  ulja e numrit të lindjeve dhe emigracioni.

TË DIPLOMUAR  NË VITIN 2020-2021

Arsimi 9 vjeçar       32.179  nxënës

Arsimi I mesëm       31. 136 nxënës

Arsimi I lartë            32.690 studentë

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!