Bie numri i nxënësve në shkolla, Shahini: Këtë vit u regjistruan 10 mijë më pak

schedule13:32 - 17 Shtator, 2019

schedule 13:32 - 17 Shtator, 2019

Rënia e numrit të lindjeve, por dhe emigracioni apo braktisja e arsimit ka reduktuar numrin e nxënësve në shkolla. Sipas  ministres së Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, këtë vit do të ndjekin arsimin parauniversitar 10 mijë nxënës më pak se vitin e shkuar.

10 mijë nxënës më pak se vitin e shkuar janë ulur këtë vit në bankat e shkollës. Shifra bëhet e ditur nga vetë ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, një ditë pas nisjes së vitit të ri mësimor.

“Në total, sivjet nga regjistrimet që kemi deri tani, rreth 455,000 nxënës, pa përfshirë arsimin profesional apo 480,000 nxënës në arsimin parauniversitar, përfshirë arsimin profesional, të dhënat për të cilët mbledh MFE. Dhe supozojmë se do ketë rreth 10,000 nxënës më pak se vitin që shkoi.”

Fenomeni nuk është i ri thotë ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Trendi i rënies ka filluar nga viti 1992, ka vazhduar me të njëjtin intensitet në kohën e qeverisjes së PD (2005-2013) dhe po vazhdon dhe sot. Shqipëria sipas Shahinit po ndjek të njëjtën tendencë si gjithë Europa Juglindore.

“Në Kosovë, nga viti 2016 në 2018 janë mbi 25,000 nxënës me pak; në Serbi: 32,000; në Bosnje Hercegovinë: 34,000. Trend i njëjtë vërehet edhe në Kroaci dhe në Maqedoninë e Veriut”.

Në vendin tonë sipas ministres Shahini vitet e fundit nxënësit që braktisin shkollën kanë rënë në mënyrë të ndjeshme.

Nëse nga viti 2012 deri në 2013 mbi 4 mijë nxënës që mbaruan shkollën nëntë vjeçare nuk e vijuan shkollën e mesme, në vitin 2018 numri i tyre ra në 1300. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!