Bie numri i dhuruesve të gjakut, rezervat mbulojnë vetëm 25% të nevojave

schedule15:47 - 18 Mars, 2021

schedule 15:47 - 18 Mars, 2021

Nga Ema Shazivari

3000 persona më pak se në 2019, kanë dhuruar gjak, gjatë vitit 2020. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të gjakut, ngre alarmin se se këto mungesa rrezikojnë jetën e rreth 600 të sëmurëve talasemik.

Dorina Xhafa, mjeke tranfuzologe, thotë se institucionet janë dhuruesit e vetëm të gjakut në këtë kohë pandemie. Mbyllja e auditoreve si pasojë e Covid, ka bërë që të humbasin studentët si dhuruesit më të mëdhenj të gjakut në vend.

“Nëse do krahasojmë vitin 2019 me vitin 2020 kemi qenë në 3 mijë dhurime më pak. Duke qenë në pandemi kemi pasur shumë të vështirë të rekrutojmë dhurues. Studentët nuk janë në auditore, ata janë një kategori e madhe dhuruesish”, shprehet ajo.

COVID 19 solli nevojën e dhurimit të gjakut edhe për personat që e kanë kaluar virusin. Plazma e tyre iu vjen në ndihmë të sëmurëve rëndë nëpër spitale. Vetëm 121 qytetarë i janë përgjigjur Apelit për të dhënë plazmën, gjatë vitit 2020. Për vitin 2021 fushata ka nisur, por vullnetarët janë të pakët.

Rezervat në bankën e gjakut mbulojnë vetëm 25% të nevojave për të sëmurët. Apelit të këtij institucioni iu përgjigj këtë të enjte UKT dhe një repart ushtarak në kryeqytet. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!