Bie ndjeshëm numri i shqiptarëve me lejeqëndrimi në Greqi

schedule07:30 - 8 Shkurt, 2023

schedule 07:30 - 8 Shkurt, 2023

Ministria greke e Emigracionit dhe Azilit publikoi të dhënat e lëshimit të lejeqëndrimeve për emigrantët e huaj që jetojnë në Greqi, pjesën më të madhe të të cilëve e përbëjnë emigrantët nga Shqipëria.

Sipas të dhënave zyrtare në muajin dhjetor të vitit 2022, në Greqi rezultojnë 285.842 mijë emigrantë shqiptarë të pajisur me lejeqëndrimi, të cilët përbëjnë rreth 60.5% të të huajve me qëndrim të rregullt.

Numri i shqiptarëve me lejeqëndrimi në dhjetor të vitit 2022 ka një rënie të ndjeshme me gati 150.000 persona krahasur me dhjetorin e vitit 2021 kur në Greqi rezultonin sipas të dhënave të Ministrisë greke të Emigracionit dhe Azilit 435.642 mijë emigrantë shqiptarë me lejeqëndrimi, të cilët përbënin 62.8% të totalit të të huajve me dokumenta qëndrimi.

Rënia e ndjeshme e numrit të emigrantëve shqiptarë me dokumenta të rregullta në Greqi pas një viti, lidhet sipas analistëve të emigracionit me shumë faktorë.

Procedurat e lëshimit të lejeve të reja të qëndrimit vijojnë të ecin me ngadalësi, ndërkohë që një kategori e emigrantëve shqiptarë të brezit të dytë kanë përfituar dy vitet e fundit nënshtetësinë greke, duke mos aplikuar më në vazhdim për leje qëndrimi.

Por sipas analistëve një faktor madhor në uljen e numrit të shqiptarëve në Greqi lidhet me një dinamikë lëvizjeje të emigrantëve që punonin e jetonin prej vitesh në Greqi drejt vendeve të tjera europiane.

Sipas analistëve të emigracionit, emigrimi i ri i shqiptarëve të brezit të dytë po ndodh nga Greqia drejt vendeve si Anglia, Gjermania, Holanda dhe disa prej vendeve të Europës Veriore, pas vështirësive në Greqi me punësimin dhe rritjen e çmimeve.

Megjithë rënien e ndjeshme, emigrantët shqiptarë vijojnë të kryesojnë edhe në vitin 2022 numrin e të huajve me dokumenta qëndrimi në Greqi, duke u pasuar nga kinezët që rezultojnë me 22,951 lejeqëndrimi, të cilat përbëjnë 4,9% të totalit të lejeve të lëshuara dhe gjeorgjianët me 20.002 lejeqëndrime, të cilat përbëjnë 4,2 % të totalit të lejeve të qëndrimit.

Sipas të dhënave zyrtare greke në vitin 2020, shtetasit nga Shqipëria, Kina dhe Pakistani kryesojnë me numrin më të madh të lejeqëndrimeve, ndërsa në vitin 2021 shtetasit nga Shqipëria, Gjeorgjia dhe Pakistani kryesonin listën e vendeve kryesore të emigrantëve të huaj në Greqi, të pajisur me lejeqëndrimi./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!