Presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi se tanket e para amerikane “Abrams” do t’i dorëzohen Ukrainës javën e ardhshme.
Biden dhe bashkëshortja e tij Jill Biden pritën në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëshorten e tij Olena Zelenska. Liderët mbajtën takime dypalëshe dhe ndërmjet delegacioneve. Ai lavdëroi guximin e treguar nga populli i Ukrainës dhe tha se presidenti rus Vladimir Putin gabohet në mendimet e tij se mund të shkatërrojë Ukrainën dhe NATO-n.
Biden tha se SHBA-ja bashkë me aleatët dhe partnerët e saj krahas mbështetjes ushtarake do të vazhdojë të sigurojë ndihma humanitare për rimarrjen e territoreve të Ukrainës.
Ai përsëriti mesazhin se mbështesin një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Biden tha se Rusia pengon paqen dhe se ajo mund ta përfundojë sot luftën nëse dëshiron. Biden shtoi se Rusia në vend të kësaj po kërkon të furnizohet me më shumë armë nga Irani dhe Koreja e Veriut, raportojnë agjencitë e lajmeve.
– “Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Ukrainës”
Pasi njoftoi ndihmën e re ushtarake të SHBA-së prej 325 milionë dollarësh për Ukrainën, Biden informoi se paketa përfshin më shumë municione dhe pajisje. Biden tha se “Tanket e para amerikane ‘Abrams’ do t’i dorëzohen Ukrainës javën e ardhshme”.
Ai bëri të ditur se janë fokusuar edhe në forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe se në këtë kuadër do të sigurojnë pajisje shtesë. Presidenti amerikan shpjegoi se do të sigurojnë mbështetje për reforma dhe financime në kuadër të së ardhmes së Ukrainës dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë këtij vendi.
Presidenti ukrainas Zelenskyy falënderoi SHBA-në për ndihmat dhe shtoi se kanë zhvilluar takim produktiv.
Duke bërë të ditur se ata ranë dakord mbi hapa të caktuar në çështje të tilla si përmirësimi i aftësive të mbrojtjes së Ukrainës, forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore në periudhën e dimrit dhe eksportin e drithit, Zelenskyy theksoi se do të vazhdojnë të punojnë për formulën e paqes.