Me paketën e ndihmës, Presidenti i SHBA-së Joe Biden po e kthen vëmendjen te një çështje tjetër në agjendën e tij: reforma e taksave.
Një nga lëvizjet e radhës është anulimi i reduktimit të taksave të Donald Trump dhe rritja e taksave për të pasurit për të financuar agjendën e tij; nga infrastrukturat për tregun e punës deri te lufta kundër ndryshimeve klimatike.
Biden po planifikon rritjen e parë të madhe federale të taksave që nga viti 1993, me synimin për të përmbushur një nga premtimet e tij të fushatës.
Plani, sipas mediave amerikane, parashikon një rritje taksash për sipërmarrjet, nga 21% deri në 28%, si dhe atë mbi të ardhurat për ata që fitojnë më shumë se 400 mijë dollarë në vit.
Për presidentin amerikan bëhet fjalë për një manovër të domosdoshme jo vetëm për të financuar kapitujt e tjerë të shpenzimeve të agjendës së tij por dhe për të rregulluar hapësirën ndarëse mes punës dhe pasurisë duke ndihmuar klasën punëtorë.
Një lëvizje që i pëlqen të majtës demokrate por që do të përballet me kundërshtimin këmbëngulës të republikanëve dhe lobeve industriale, sipas të cilëve një politikë e tillë do të dëmtonte konkurrencën e sipërmarrjeve amerikane në tregjet globale, sidomos në këtë fazë të vështirë me pasojat e pandemisë.
Një burim i ri i financimit të projekteve të Biden mund të vijë dhe falë sekretares amerikane të thesarit, e cila po punon me homologët e saj për një marrëveshje që do të vendoste një taksë minimale globale për sipërmarrjet shumëkombëshe. Biden premtoi në fushatën e tij presidenciale se do të anulonte që në ditën e parë të punës reduktimin fiskal të Trump, nga i cili kishin përfituar të pasurit dhe sipërmarrjet e mëdha, që panë taksat e tyre të reduktohen nga 35% në 21%./abcnews.al