Biden në Kanada, në fokus çështja e emigracionit të paligjshëm

schedule14:54 - 24 Mars, 2023

schedule 14:54 - 24 Mars, 2023

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbërriti në Otava të Kanadasë të enjten për bisedime që do të fokusohen në një sërë çështjesh, përfshirë emigracionin e paligjshëm, bashkëpunimin në mbrojtje dhe situatën në Haiti.

Biden do të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe pritet t’i drejtohet Parlamentit të Kanadasë pasdite. Më pas të dy liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Biden dhe zonja e parë Jill Biden u pritën nga Trudeau dhe bashkëshortja e tij Sophie Gregoire Trudeau në rezidencën e kryeministrit. Sipas raporteve, Biden dhe Trudeau pritet të shpallin një marrëveshje midis dy vendeve të tyre që do të kufizonte disa emigrantë që të kërkojnë azil në Kanada.

Udhëheqësit pritet të shpallin çështjet për të cilat kanë rënë dakord në lidhje me mbylljen e shtigjeve që lidhin Neë Jorkun dhe Quebec-un dhe një program të ri pranimi të refugjatëve sipas marrëveshjes.

“Presidenti dhe kryeministri sigurisht që do të kenë më shumë për të diskutuar”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Biden dhe Trudeau do të trajtojnë gjithashtu situatën jostabile dhe të përkeqësuar humanitare në Haiti.

Jean-Pierre tha se situata në terren nuk do të përmirësohet pa ndihmën e armatosur të sigurisë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Çdo vendim për forcën ushtarake do të merret në konsultim me OKB-në dhe me qeverinë haitiane”, tha ajo.

Gjithashtu në axhendë pritet të jenë edhe kontributet e Kanadasë në Komandën e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) dhe NATO-s si pjesë e shpenzimeve të mbrojtjes.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!