Presidenti amerikan Joe Biden mbajti një deklaratë për mediat në Uashington, për herë të parë pasi kishte bërë komentet për ndryshim regjimi në Rusi. Pas deklaratës së bërë në Poloni, Kremlini reagoi duke thënë se komentet e presidentit amerikan se Vladimir Putini nuk mund të rrinte më në pushtet, ishin çështje për t’u shqetësuar.
Megjithatë, pasi komentet shkaktuan polemika, Biden ka mohuar se po bënte thirrje për ndryshim regjimi. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se “nuk ishte aspak” i shqetësuar se komentet e tij mund të përshkallëzojnë konfliktin ose të dobësojnë NATO-n, siç kanë pretenduar disa.
Ai tha se thjesht po “shprehte zemërimin e tij” dhe kjo nuk do të thotë se SHBA ka ndonjë politike thelbësore për ta detyruar Putinin që të largohet nga pushteti.
Presidenti u pyet gjithashtu për komentet e tjera që ai bëri javën e kaluar se çdo sulm kimik nga Rusia do të shkaktonte një përgjigje që i shkon për shtat rastit. Biden përsëriti se kjo do të nënkuptonte një “përgjigje të rëndësishme”, por nuk pranoi të hynte në detaje.
Në lidhje me atë nëse ai do të ishte i gatshëm të takohej me Putinin, presidenti tha se “varet se për çfarë dëshiron të flasë”. /abcnews.al/