Në një konferencë për shtyp për kontrollin dhe shitjen e armëve në SHBA, Joe Biden theksoi se “dhuna e armatosur në Amerikë është bërë epidemike”.
Biden shtoi se duhet ndaluar urgjentisht përdorimi i armëve të zjarrit. Më pas, Presidenti specifikoi se nevoja për të ndaluar shitjen e armëve në SHBA do të jetë e vështirë të aprovohet, në një Senat me ndarje të fortë.
Megjithatë, President deklaroi se ka ardhur momenti për të vepruar, duke e nxitur Kongresin që të aprovojë dy ligjet që përforcojnë kontrollin e blerësve të armëve. Aktualisht, dy ligjet janë aprovuar në Dhomën e Përfaqësuesve, por janë bllokuar në Senat.
Biden ka theksuar se ka ardhur momenti për t’i thënë mjaft përdorimit të armëve, duke kontestuar në këtë mënyrë qëndrimin e Republikanëve, që mbështet Amendamentin numër dy të Kushtetutës Amerikane, që mbron të drejtën për të mbajtur armë.
Ndërkaq, të Mërkurën, në Shtetin e Karolinës së Jugut ndodhi një tjetër masakër, ku 5 persona u vranë me armë zjarri në shtëpinë e tyre. Autori i Masakrës, ish lojtar i Futbollit Amerikan, Phillip Adams, vrau veten pak pas mesnate, me një armë të kalibrit 45.
Zëvendës Presidentja, Kamala Harris, në konferencën për shtyp shtoi se për një kufizim të përdorimit të armëve të zjarrit në SHBA nuk duhet të presim të ndodhë tragjedia e radhës, por nevojitet guximi për të vepruar./abcnews.al