Biden flet për herë të parë pas rrëzimit të balonave: Nuk i kërkojmë falje Kinës

schedule21:23 - 16 Shkurt, 2023

schedule 21:23 - 16 Shkurt, 2023

Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të hedhë dritë mbi rastet e objekteve fluturuese që u rrëzuan ditët e fundit mbi SHBA dhe Kanada duke dhënë sot një konferencë për shtyp.

Brenda një periudhe nëntëditore, nga data 4 deri në 12 shkurt, forcat e armatosura amerikane rrëzuan katër objekte fluturuese, tre prej tyre mbi SHBA dhe një mbi Kanada.

Rasti më i publikuar nga të katërt ishte rrëzimi më 4 shkurt i një balone kineze mbi Atlantik jashtë Karolinës së Jugut.

Ndërsa Pekini pohon se ishte një balonë moti që kishte hyrë gabimisht në hapësirën ajrore të SHBA-së. Nga ana tjetër, pala amerikane i akuzon se balona ishte dërguar për qëllime spiunazhi dhe për rrjedhojë përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për këtë arsye u rrëzua.

Tre objektet e tjera që u rrëzuan, sipas të gjitha gjasave, ishin balona të lidhura me projekte private kërkimore-shkencore që nuk kishin asnjë lidhje me spiunazhin, tha sot presidenti amerikan, duke sqaruar, megjithatë, se autoritetet amerikane ende nuk kanë qartësi të plotë për arsyen e përdorimit të atyre objekteve.

Joe Biden pohoi gjithashtu se nuk ka pasur rritje të numrit të objekteve fluturuese që fluturojnë mbi Shtetet e Bashkuara kohët e fundit.

Përtej kësaj, presidenti amerikan dërgoi mesazhin se çdo objekt që konsiderohet si kërcënim për sigurinë e qytetarëve amerikanë do të shkatërrohet.

Ai dërgoi një mesazh drejt Pekinit, duke pretenduar se nuk do të kërkojë falje për vendimin që çoi në rrëzimin e balonës kineze më 4 shkurt mbi Atlantik.

Udhëheqësi amerikan tha se do të ketë një bisedë me presidentin kinez Xi Jinping në të ardhmen, ndërsa duke iu referuar veçanërisht marrëdhënieve kino-amerikane, ai argumentoi se SHBA do të vazhdojë të konkurrojë me Kinën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!