Biden dërgon trupa shtesë në Europën Lindore

schedule08:37 - 3 Shkurt, 2022

schedule 08:37 - 3 Shkurt, 2022

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka miratuar vendimin për të dërguar forca shtesë në Europën Lindore. Sekretari për shtyp i Pentagonit, John Kirby tha të mërkurën se trupat së shpejti do të zhvendosen në Poloni, Rumani dhe Gjermani në përgjigje të “situatës aktuale të sigurisë”.

Ai tha në një konferencë shtypi se 1,000 forca të vendosura aktualisht në Gjermani do të ripozicionohen në Rumani dhe 2,000 trupa do të vendosen nga Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe Gjermani.

Ushtria amerikane paralajmëroi javën e kaluar se rreth 8,500 trupa do të vendosën në Europë nëse do të jetë e nevojshme. Moska nga ana tjetër ka mohuar planifikimin e një pushtimi, por ka vendosur rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Rusia gjithashtu kundërshton fuqishëm anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e NATO-s.

Kriza vjen 8 vite pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti një kryengritje të përgjakshme në rajonin lindor të Donbasit .

Moska ka akuzuar qeverinë ukrainase për dështimin në zbatimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare për të rivendosur paqen në lindje, ku rebelët e mbështetur nga Rusia kontrollojnë territorin dhe të paktën 14,000 njerëz janë vrarë që nga viti 2014 .

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!