Nuk ka ndërmend ta ndryshojë fanelën.
Erblira Bici dhe Megaboks Valefolia janë një çift I përsosur dhe volejbollistja shqiptare ka vendosur ta vazhdojë karrierën aty të paktën edhe për një sezon tjetër.
Lajmet nga Italia janë që ylli kuqezi ka rinovuar kontratën për 12 muaj, një përtëritje afatshkurtër për të ecur hap pas hapi dhe për të parë se çfarë mundësish do të ofrojë e ardhmja.
Sezoni I kaluar ishte një triumf I vërtetë për Bicin dhe për Valefolian.
Pasi zuri vendin e gjashtë në Serinë A, ndër 14 skuadra, u fitua Kupa Challenge e Europës, njëra nga më të rëndësishmet e kontinentit pas Ligës së Kampionëve.
Në një marshim të shkëlqyer, në finale u mund Panathinaikosi I Athinës me rezultatet 3-2 në Itali dhe 3-0 në Greqi.
Bici u shpall lojtarja më e mirë e finales dhe e gjithë Kupës Challenge.
Jo vetëm kaq, por volejbollistja e kombëtares doli shënuesja e pestë më e mirë e Serisë A për femra, me 451 pikë, shumë afër podiumit.
Po ashtu, ajo ishte lojtarja e gjashtë më emirë e kampionatit italian për pikët direkt nga shërbimi me 33 të tilla, madje po aq sa vendi I dytë.
Vetëm Jekaterina Antropova arriti ta linte prapa.
Erblira Bici do të synojë një tjetër sezon të shkëlqyer me Valefolian e ndoshta më pas mund të provojë një sfidë në nivel më të lartë.


