Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar lajmet se janë betonizuar banjot termale të Bënjës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se janë kryer manipulime, teksa ka nxjerrë pamjet e vërteta.
Kreu i qeverisë shtoi se për banjot termale të Bënjës ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës.
Me të njëjtën metodë dhe me “ndihmën” e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit “dopingun” për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri.
Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit”, shkruan Rama./abcnews.al



