Betohet Pompeo: Do të ringre Departamentin e Shtetit

schedule22:41 - 12 Prill, 2018

schedule 22:41 - 12 Prill, 2018

Ish-shefi i CIA-s, Mike Pompeo, në seancën që do ta konfirmojë në postin e ri, atë të sekretarit të Shtetit, ka deklaruar se prioritet i tij do të jetë ringritja e atij që e ka quajtur institucioni diplomatik më elitar në botë.

I emëruari nga presidenti Trump për postin e sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, premtoi të enjten se do të ringrejë Departamentin e Shtetit, që sipas tij është gërryer nga largimi i diplomatëve dhe është anashkaluar në vendimmarrjet e politikës së jashtme.

Në fjalimin e tij përpara Senatit, Pompeo ka thënë se, skema e riorganizimit e nisur nga parardhësi i tij Rex Tillerson e ka lënë institucionin me staf të demoralizuar dhe me mungesa në postet kyçe, të cilat janë plotësuar nga emërime politike. Pompeo, ish-drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, ka shtuar se do të punojë me ritme të shpejta në detyrën e re për të mbushur boshllëqet e krijuara.

“Është jetike përforcimi i trupit diplomatik më elitar në botë. Amerika dhe bota kërkojnë që ne të bëjmë sa më parë një gjë të tillë”, ka deklaruar Pompeo në seancën e konfirmimit.

Presidenti Trump e emëroi ish-shefin e CIA-s në krye të diplomacisë amerikane më 13 Mars, kur shkarkoi Tillerson. Ata njihen për marrëdhëniet e tyre të ngrohta dhe më herët gjatë së enjtes Trump e uroi Pompeon në rrjetin e tij social të preferuar.

“I uroj fat Mike Pompeos në seancën e konfirmimit. Ai do të jetë një diplomat i shkëlqyer”, u shpreh Presidenti në Twitter./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!