Betohet kryetari i ri, “blindohet” objekti i Komunës në veri të Mitrovicës

schedule09:20 - 19 Maj, 2023

schedule 09:20 - 19 Maj, 2023

Forca të shtuara policore, patrulla të rregullta të tyre, por edhe përfaqësues të KFOR-it dhe Eulex-it, kanë shtuar prezencën e tyre pranë objektit të Komunës në veri të Mitrovicës, në prag të seancës solemne e cila pritet të mbahet sot ku do të betohet kryetari i ri i kësaj komune.

Mësohet se objekti i Komunës në veri të këtij qyteti ka qenë i “blinduar” edhe gjatë tërë natës së mbrëmshme nga këto forca.

Edhe përgjatë rrugës nga Komuna drejt urës kryesore dhe në drejtim të udhëkryqit tek “Lagja e boshnjakëve”, pastaj rruga drejt “Tre rrokaqiejve” vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të policisë, ndërsa edhe automjetet e parkuara tek rrethrrotullimi pranë urës po largohen.

Aktualisht situata e sigurisë në këtë pjesë është e qetë.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok dhe në veri të Mitrovicës u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i regjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

/KosovaPress/