Betohet Erdogan, Turqia “ndërron lekurë”

schedule22:54 - 9 Korrik, 2018

schedule 22:54 - 9 Korrik, 2018

Recep Tayip Erdogan u betua këtë të hënë duke i dhënë jetë sistemit të ri qeverisës në Turqi, ku pushteti ekzekutiv është i centralizuar në duart e presidentit. Në fjalimin e tij, Erdogan theksoi se sistemi i ri do të vërë vendin në shinat e republikës së themeluar nga Ataturku dhe do ta bëjë atë më të fortë se më parë.

Recep Tayip Erdogan është betuar të hënën për mandatin presidencial që e bën atë të parin kryetar shteti me pushtet ekzekutiv në historinë e Turqisë.

Menjëherë pas leximit të formulës së betimit, në vend ka hyrë në fuqi sistemi i ri që e bën Erdogan të gjithëpushtetshëm, një status ky i arritur falë referendumit të vitit të kaluar që i dha presidentit kompetenca të reja.

Pas ceremonisë së zhvilluar në Parlament, Erdogan është drejtuar për në Anitkabir, siç njihet mauzoleumi i Mustafa Kemal Ataturkut, ku përmes një fjalimi ka premtuar se do të ndjekë gjurmët e tij.

“Në këtë moment të rëndësishëm kthese të Republikës dhe demokracisë sonë, si presidenti i 12-të i Turqisë dhe i pari me një sistem qeverisës presidencial, premtoj se do të forcoj unitetin dhe vllazërinë e kombit tonë, dhe se do të zhvilloj e ngre më lart shtetin turk”, tha Erdogan.

Ai u shpreh i vendosur për të arritur objektivat e republikës së themeluar nga Ataturku dhe njerëzit e tij, që siç tha, tashmë i janë besuar atij dhe brezit të ri. Më pas kreu i shtetit u drejtua për në kompleksin presidencial të Ankarasë, për një tjetër ceremoni. Në fjalimin e radhës, që e nisi me lutje, Erdogan foli për përfitimet që sipas tij sistemi i ri qeverisës do t’i sjellë Turqisë.

“Ne po adoptojmë një model që shkon përtej përpjekjeve tona 150-vjeçare për demokraci dhe eksperiencës sonë 95-vjeçare si Republikë”, tha Erdogan.

Ai u shpreh se sistemi i ri po lë pas atë të vjetër, që në të kaluarën i ka kushtuar shtrenjtë vendit për shkak të kaosit politik, social dhe ekonomik. Duke premtuar se në këtë epokë të re do të përforcojë shtetin social, presidenti u zotua se do të lërë pas ditët kur njerëzit ishin të përjashtuar dhe të tjetërsuar për çfarëdolloj arsyeje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!