Betimi i qeverisë së re, Rama shkon te Meta

schedule09:56 - 18 Shtator, 2021

schedule 09:56 - 18 Shtator, 2021

Ka mbërritur në Presidencë kryeministri Edi Rama, ku do të kryhet ceremonia e betimit e qeverisë së re, të mandatit të tretë të socialistëve.

Ceremonia mbahet në orën 10:00, sikurse është njoftuar. Gazetarja Erneta Shevroja raporton se ceremonia e betimit do të zhvillohet pa praninë e mediave. Janë 15 ministra dhe kryeministri që do të bëjnë betimin te kreu i shtetit dhe më pas kabineti i ri nis zyrtarisht detyrën.

Ndërkohë, kjo procedurë ka një interes të veçantë për shkak edhe të përplasjes së fortë të presidentit Meta me kryeministrin Rama. Qeveria e re shkon te presidenti në kushtet, kur kreu i shtetit është i shkarkuar nga Kuvendi i vjetër, pas nismës së ndarmarrë nga PS. Ndërkohë, fati i Metës do të vendoset nga Gjykata Kushtetuese dhe mandati i tij i rregullt përfundon në korrik të 2022.

Nga ana tjetër, kujtojmë se dje qeveria e re u miratua në Kuvend me 77 vota pro, 53 kundër dhe asnjë abstenim. Burime bëjnë të ditur për ABC se pas betimit në Presidencë do të mbahet edhe mbledhja e parë e kabinetit të ri qeveritar. Më pas kryeministri Rama do të vijojë me axhendën e tij, pasi do të udhëtojë në New York, për të marrë pjesë në punimet e OKB. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!