Bashkia e Lushnjes zgjedh kryetarin e ri të dielën krahas pesë bashkive të tjera, si Durrësi, Shkodra, Rrogozhina, Vora dhe Dibra, të cilët janë pa drejtues për shkaqe të ndryshme nga njëra-tjetra. Përballë në Lushnje janë Indrit Sefa i Partisë Demokratke, Eriselda Sefa nga PS si edhe Elton Bano që garon në emër të “Shtëpisë së Lirisë”.
Demokratët kanë vite që nuk e drejtojnë Bashkinë e Lushnjes, por në një intervistë për abcnews.al, Indrit Sefa shprehet se ky është momenti kur drejtimi i kësaj bashkie do t’i rikthehet kësaj partie, pasi sipas tij, “këto zgjedhje janë për qytetarët dhe jo për siglat politike, pasi lushnjarët e duan ndryshimin”.
“Ata (Lushnjarët sh.r) vleresojnë shumë se unë nuk jam i përlyer në afera korruptive. Besoj fort se të dielën, lushnjarët do të votojnë për mua si kandidat i PD, sepse ata çmojnë se në krye të bashkisë u duhet një njeri punëtor, tolerant, i sjellshëm, bashkëpunues dhe i pakorruptuar”, shprehet Sefa për abcnews.al.
Më poshtë, intervista e plotë:
Zoti Sefa si mendoni se do të realizoni premtimet tuaja përballë banorëve dhe qytetarëve Lushnjarë, në një kohë që do u duhet të bashkëpunoni me të njëjtin Këshill Bashkiak?
Plani im i Emergjencës ka në themel interesin publik. Luftë kundër korrupsionit, investime më të mëdha, vendosjen e bashkisë në shërbim të qytetarëve në çdo njesi administrative. Nëse ky nuk është prioriteti i këshillit bashkiak, atëherë ata do të ndëshkohen me votë pas 1 viti. Por nuk e besoj këtë kurrësesi. Pavarëssiht se janë përfaqësues të partisë në pushtet, më së pari, ata janë lushnjarë, jetojmë në një qytet dhe e duan atë të zhvilluar. Besoj fort se do të kemi bashkëpunim të mirë.
Partia Demokratike ka më shumë se 20 vite që nuk e drejton Bashkinë Lushnje, çfarë mendoni se do t’ju bëjë juve t’ia riktheni bashkinë PD-së?
Këto zgjedhje janë për njerëzit dhe jo për partitë. Pothuajse në çdo takim që kam patur, në qytet dhe në fshat, lushnjarët e thonë që e duan ndryshimin. Ata vleresojnë shumë se unë nuk jam i përlyer në afera korruptive. Besoj fort se të dielën, lushnjarët do të votojnë për mua si kandidat i PD, sepse ata çmojnë se në krye të bashkisë u duhet një njeri punëtor, tolerant, i sjellshëm, bashkëpunues dhe i pakorruptuar.
Gjatë takimeve tuaja me banorët jeni shprehur se do të nisni asfaltimin edhe të fshatrave të bashkisë, këto investime mendoni t’i bëni me fondet e bashkisë apo në bashkëpunim edhe me pushtetin qendror?
Në këtë garë unë kam hyrë për t’u shërbyer njerëzve dhe jam i vendosur ta bëj këtë oa asnjë kompleks. Fondi i bashkisë, për shkak të nivelit të ulët të mbledhjes së ardhurave, është rreth 11 milionë euro.
Gati gjysmat i çon për rroga, ndërsa për investime mbeten vetëm 2 milionë.
Qeveria jep në formën e granteve rreth 10 milionë të tjera. Nëse fondet janë të pamjaftushme, nëse kemi një projekt të mirë dhe te tillë do të kemi disa, pa asnjë kompleks do të kërkoj mbështetjen e qeverisë. Zhvillimi i Lushnjës, zhvillimi i bujqësisë ketu, i agroturizmit, infrastruktura më e mire, shkolla më të mira nuk jane vetëm interesi im apo i PD. Ky është një interes kombëtar.
Cili do të jetë plani juaj për të rimëkëmbur bujqësinë në zonën e Lushnjës dhe për ta bëra atë konkurruese në treg?
Gjatë takimeve me fermerët nuk kam lënë vend për iluzione. Nuk kam bërë premtime mashtruese. Në 1 vit unë s’mund të bëj mrekulli, por mund të në punë çdo mjet të bashkisë. Nafta, që nuk do të vidhet më, do të shkojë për makineritë e bashkisë për hapjen e kanaleve kulliese dhe vaditëse. Bashkia Lushnjë ka në pronësi një gurore dhe ka mundësi të bëjë me kosto të ulët rrugët e parcelave.
Çdo njësi administrative do të jetë funksionale, në shërbim të plotë të fermerëve. Kemi mundësinë të vendosim agronomë për këshillimin e fermerëve për rritjen cilësisë dhe prodhimit të produkteve.
Duket se në këto zgjedhje lufta është më e fortë brenda PD-së se sa ndaj atyre përballë, a keni ju një mesazh për mbështetësit e Berishës?
Në këtë betejë unë kam hyrë për lushnjarët. Nuk i ndaj ata në të Bashës, në të Ramës apo të Berishës. Lushnjarët e kanë kuotiar se të dielën nuk votohet për liderët e partive politike, por për njeriun që u zgjidh hallet e përditshme dhe bën avokatin e tyre në çdo kohë.
Kë shihni si kundërshtarin tuaj më të fortë në zgjedhjet e së dielës?
Qeveria është kundërshtari më i fortë. Prej gati 1 muaji, në Lushnjë ka zbarkuar e gjithë qeveria. Për fat të keq, askush nuk është distancuar nga korrupsioni i tmerrshëm në Bashkinë e Lushnjës. Megjithatë, kam bindjen se këtë jerë, lushnjarët do të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe do të votojnë për ndryshimin! Së bashku do ta vëmë bashkinë në punë, në shërbim të tyre! /abcnews.al