Beteja për Këshillin e Tiranës/ Si përballen partitë politike për votën e Tiranës rurale e urbane

schedule10:37 - 6 Maj, 2023

schedule 10:37 - 6 Maj, 2023

Kjo është një e shtunë e zakontë në Pezë Helmës, vetëm 12 km nga qendra e Tiranës. Banorët po merren me punët e përditshme, nga bujqësia tek ndërtimi.

Por për Toni Gogun, deputetin e PS-së që jeton po në këtë fshat, kjo nuk është ditë për t’u marrë me nge.

“Ne takohemi këtu cdo ditë, pimë kafën e mëngjesit bashkë dhe shpërndahemi në terren”

Pas takimit me strukturat e partitë, është koha për të vizituar një familje të cilës bashkia i ka rindërtuar shtëpinë.

Fjalori i kryeministrit në fushatë është bërë pjesë e kësaj familjeje.

“Kemi ecur përpara, se mbrapa bie në greminë”

Madje edhe shëndeti i të parit të qeverisë.

Banori: Hoqi edhe atë operacionin, se ishte gjë e madhe ajo.

Gogu: Atë e hoqi, iku ajo, po kësaj zorrës qorre të Shqipërisë si do t’ja bëjmë, se atë nuk e heq dot vetëm ai.

Banori: Do eleminohet edhe ajo në 14 maj

Në një bisedë për ABC News Gogu pranon se rruga që lidh Tiranën me Ndroqin është problematike.

“Ende ne këtu vuajmë pak me infrastrukturën, ju e patë rrugën”

Por nga ana tjetër mbron Erjon Veliajn dhe punën e tij për fshatrat e Tiranës.

“Fshati sot ka disa gjëra për të festuar. Lagjet e reja të rindërtuara pas tërmetit. Janë bërë 4 shkolla të reja, nga më modernet. Fëmijët qe janë aty kushtet që kanë edhe ata që studiojnë në qendër të Tiranës. Njerëzit më punëtorë që ne kemi, janë pikërisht në fshat.”

Pas intervistës, deputeti socialist vijon axhendën në një takim me gratë, të cilave ju dhurohen karafilë për t’i mbjellë në oborret e tyre, e në këtë aktivitet Gogu ka marrë edhe bashkëshorten e tij, Edin, e cila, po ashtu jeton në këtë fshat.

Por nëse për mazhorancën Tirana begaton dhe banorët po jetojnë ditët më të mira, opozita sheh një panoramë të zymtë.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” po bën përpjekjet e veta për të bindur kryeqytetasit të ndëshkojnë Erjon Veliajn dhe t’i besojnë Belind Këllicit.

“Një nga zonat që ka më pak investime dhe që është më pak në vëmendjen e pushtetit”.

Partia e Ilir Metës ka prioritet këshillin bashkiak në Tiranë, dhe ne biseduam me Silva Cakën që kryeson grupin e kandidatëve të Partisë së Lirisë.

“Ka takime të vogla, kafe apo takime masive. Ka dalje ne terren që na ndihmojnë si kandidatë të njihemi”

Caka na tregon këto rrugë të Kodrës së Priftit se provë e deklaratave të saj që qyteti i Tiranës përtej fasadës, është i braktisur.

“Shiko në cfarë gjendjeje jemi. Infrastruktura është problem. Betonizimi është problem. Trotuaret një një problem. Imagjoni një nënë me karrocë që nuk ka ku të kalojë, sepse edhe aty ku ka një copë trotuar, cuditërisht kanë ngulur një shtyllë elektriciteti në mes.

Premtoi se nuk do të jepte leje ndërtimi, por Veliaj dha 7.5 milionë metra katror leje ndërtimi. Nuk është pak”

Votojeni Këllicin, e nëse nuk i mban premtimet, hiqeni. Këtë thirrje ka kandidatja e Partisë së Lirisë, e cila e komenton kështu këtë poster të diskutueshem të kandidatit që ajo mbështet:

Caka: Kjo histeria kolektive që i ka kapur njerëzit në lidhje me këtë poster është më shumë nga ata që nuk e kanë problem ta ndjejnë, por e kanë problem ta shohin. Në fund të fundit ajo është një strategji dhe për mua është i duhuri në këtë moment, sepse të gjithë ne duhet ta kemi korrupsionin nën shenjestër dhe ta luftojmë me cdo mënyrë.”-tha Caka

Gogu: Duan ta modernizojnë protestën duke e futur në hullinë e të pahijshmes apo të pahijshmes.  

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!