Beteja për 12 miljet, a do jetë precedent zgjerimi i Greqisë në detin Jon?

schedule21:39 - 20 Janar, 2021

schedule 21:39 - 20 Janar, 2021

Shelfi kontinental siç përcaktohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit, në detin Adriatik rregullohet nga marrëveshje specifike midis shteteve bregdetare. Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Italisë për përcaktimin e shelfit kontinental midis dy vendeve është bërë më 18 dhjetor 1992.

Ai që ka mbetur ende pa u mbyllur është deti Jon, për të cilin Greqia shkon drejt zgjerimit të ujërave të saj territoriale me 12 milje detare me Shqipërinë.

Kjo do të zgjeronte ujërat territoriale perëndimore të Greqisë në 12 milje plus nga gjashtë milje detare që ka aktualisht.

Greqia dhe Italia kanë nënshkruar tashmë një marrëveshje mbi kufijtë detarë që krijojnë një zonë ekonomike ekskluzive në Detin Jon.

Athina dhe Tirana nuk kanë rënë dakord ende për të gjitha detajet e kufirit të tyre detar dhe e kanë referuar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin e Jashtëm Grek, Nikos Dendias, disa orë para se projektligji i qeverisë greke për këtë çështje të çohej në parlament.

“Ky projekt legjislacion konfirmon strategjinë e Greqisë për të kërkuar marrëveshje me vendet fqinje, bazuar gjithmonë në të drejtën ndërkombëtare dhe promovimin e sigurisë dhe prosperitetit në rajon”, thotë Nikos Dendias.

Hapi grek në lidhje me zgjerimin e ujërave territoriale nuk prek çështjen e Egjeut, pranë brigjeve jugore dhe lindore të Greqisë, për të cilat Athina ka një problem të mprehtë, të hapur, me aleatin e saj të NATO-s Turqinë.

Lëvizjet e fundit të Greqisë, megjithatë, nuk mund të shihen jashtë kontekstit të krizës greko-turke në lidhje me ujërat territoriale. Aq më tepër që Greqia kërkon të bëjë të njëjtën gjë me Turqinë, pra, të zgjerojë ujërat e saj territorial me 12 milje në Detin Egje. Për Turqinë, kjo do të ishte një shkak për luftë, pasi do ta bënte të pamundur kalimin në Egje për anijet turke pa kaluar në territorin grek.

Në fakt, evolucioni i Ligjit të Detit, i cili u jep vendeve hapësira të reja sovraniteti dhe fusha juridiksioni pa specifikuar caktimin e tyre, është burimi i mosmarrëveshjes midis Greqisë dhe Turqisë në Detin Egje. Ndarja territoriale që rezultonte nga Traktati i Lozanës dhe Traktati i Parisit dukej relativisht e qëndrueshme; Greqia logjikisht kishte pothuajse të gjithë ishujt e detit Egje, të populluar nga grekë që nga kohërat antike. Por evolucioni i së drejtës ndërkombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe veçanërisht pas vitit 1958, e ka lëkundur status quo-në. Ishujt grekë janë të shpërndarë në të gjithë detin Egje, deri në brigjet e Turqisë; veçanërisht në rastin e Lesbos, Kios, Kos, Rod dhe Samos.

Disa ishuj më të vegjël janë edhe më afër, të tilla si Kastelorizo që ndodhet në jug-lindje vetëm 1,300 m nga bregu turk. Kjo situatë është ndërlikuar shumë me evolucionin e Ligjit të Detit. Ushtrimi i sovranitetit të shteteve bregdetare mbi ujërat përtej territorit të tyre është pranuar që nga shekulli XVIII; ky det territorial ishte në atë kohë i kufizuar në 3 milje detare.

Me përparimin teknologjik, shtetet ndien nevojën për të zgjeruar ujërat e tyre për të garantuar sigurinë dhe për të shfrytëzuar burimet detare dhe nëntokësore. Kjo shtrirje e zonave nën sovranitet (ujërat territoriale), dhe nën juridiksion, (shelfi kontinental dhe zona ekskluzive ekonomike), është burimi i shumë mosmarrëveshjeve, përfshirë ato të Detit Egje.

Për më tepër, Konventa e vitit 1958 mbi Detin Territorial dhe Zonën e Afërt nuk kishte ndonjë hollësi për gjerësinë maksimale të ujërave territoriale . Disa vende ndërkohë kanë vendosur ta zgjasin atë në 12 milje, sic ishte rasti i Francës që nga viti 1971.

Ndërkohë, shfrytëzimi i hidrokarbureve të shelfit kontinental, përtej ujërave territoriale, u zhvillua me shpejtësi. Konventa mbi Shelfin Kontinental e 29 Prillit 1958 e njohu këtë të drejtë. Më në fund, koncepti i zonës ekskluzive ekonomike (EEZ) që lejon ushtrimin e juridiksionit në këto ujëra territorial do të pranohej nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit e mbajtur në Montego Bay në Dhjetor 1982. Shumë vende nuk pritën nënshkrimin e Konventës për krijimin e EEZ-ve më parë; Franca e bëri këtë në 1976. Këto zhvillime prishën stabilitetin relativ të Detit Egje të respektuar që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe hapën polemikt në lidhje me ujërat territoriale dhe shelfin kontinental.

Greqia zgjeroi ujërat e saj territoriale me 6 milje me një Ligj të Shtatorit 1936. Ujërat territoriale Greke mbulojnë kështu 43.5 përqind të Detit Egje ndërsa ujërat territoriale Turke përfaqësojnë vetëm 7.5 përqind.

Nëse ujërat territoriale të të dy vendeve do të silleshin në 12 milje, 71.5 përqind e Detit Egje do të ishte nën sovranitetin grek dhe 8.7 përqind në atë turk. Zona e detit të lartë do të ulej nga 49 përqind në 19.7 përqind. Nëse të dy vendet krijojnë zonat ekskluzive ekonomike, hapësira e mbetur prej 19.7 përqind do të binte tërësisht nën juridiksionin e Athinës. Kjo shpjegon pse Turqia ka ushtruar gjithmonë presion ndaj fqinjit të saj, duke pretenduar se zgjerimi i ujërave territoriale Greke në 12 milje do të përfaqësonte një casus belli, pra një shkak për luftë. Parlamenti turk e miratoi këtë qëndrim me një rezolutë të miratuar në qershor 1995, menjëherë pas ratifikimit nga Greqia të Konventës së Gjirit Montego.

Vështirësia lind nga fakti që, sipas Konventës, ‘anijet e të gjitha shteteve, qofshin bregdetare apo kontinentale, gëzojnë atë që quhet e drejta e kalimit pa pasoja, në ujërat territoriale të një shteti tjetër. Kjo e drejtë përfshin kufizime për anijet ushtarake dhe nëndetëset të cilave u kërkohet të lundrojnë në sipërfaqe dhe mund të rregullohen nga shteti bregdetar. Nëse ujërat territoriale greke do të zgjeroheshin me 12 milje në Detin Egje, anijet luftarake turke që vijnë nga Bosfori ose nga Izmiri do t’i nënshtroheshin kufizimeve të së drejtës së kalimit pa pasoja, apo edhe rregulloreve të miratuara nga Athina. Turqia është një nga shtetet e rralla që kanë refuzuar të nënshkruajnë Konventën.

Megjithatë, jurisprudenca plotëson boshllëqet në Ligjin e Konventës së Detit mbi caktimin e hapësirave detare. Heshtja e Konventës mbi metodat e caktimit të hapësirave detare është mbuluar në mënyrë progresive nga jurisprudenca e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, e cila ka vendosur parimet e zbatueshme; gjykata ka përcaktuar kështu nocionet e ekuidistancës / rrethanave të veçanta për caktimin e detit territorial dhe të parimeve të barabarta / rrethanat përkatëse për shelfin kontinental dhe ZEE, që përfshin gjurmimin e një linje të përkohshme mesatare për të parë nëse rezultati është i drejtë. Ka gjithashtu precedent që do të shërbenin për caktimin në mënyrë të drejtë të hapësirave detare.

Vendimi i shkurtit 1969 për shelfin kontinental të Detit të Veriut nënvizon të drejtën e secilit shtet për të përfituar nga i gjithë shellfi continental. Po kështu specifikon se duhet të ketë një lidhje të arsyeshme midis shtrirjes së zonave që i përkasin secilit shtet dhe gjatësisë së vijës së tij bregdetare, I ashqutuajturi kriteri i proporcionalitetit.

Vendimi i qershorit 1977 për shelfin kontinental të Kanalit Anglez dhe Ishujve të Kanalit specifikoi se parimi i shtrirjes natyrore të territorit nuk kishte një vlerë absolute dhe mund të kufizohej në rrethana të veçanta, të cilat rezultuan në kufizimin e hapësirës detare të ishujve në 12 milje brenda shellfit kontinental francez.

Vendimi i qershorit 1993 në lidhje me caktimin detar midis Groenlandës dhe ishullit norvegjez të Jan Mayen specifikoi se një disproporcion i konsiderueshëm midis gjatësisë së bregdetit dhe sipërfaqes së caktuar detare justifikon një korrigjim të metodës së ekuidistancës.

Megjithatë, baza mbetet konventa e Gjirit Montego e cila përcakton se çdo shtet ka të drejtë të vendosë gjerësinë e detit të tij territorial deri në një kufi që nuk i kalon 12 miljet.

Ndërkohë që e drejta ndërkombëtare nuk vendos kufizim për këtë rregull, disa shtete kanë vendosur ndërkohë të kufizojnë gjerësinë e ujërave të tyre territorial. Përshembull, Japonia ka kufizuar vullnetarisht detin e saj territorial në 3 milje për të shmangur kufizimet në ngushticat e saj; e njëjta gjë vlen për Estoninë dhe Finlandën që e kanë bërë për të lejuar flotën ruse të hyjë në Shën Petersburg brenda ujërave ndërkombëtare pa pasur nevojë të kalojë nëpër ujërat territoriale të fqinjëve të saj, duke shmangur kështu regjimin e kalimit pa pasoja.

Një det territorial I kufizuar në 6 milje, do t’i jepte Turqisë dalje në ngushticat turke nga Mesdheu përmes ujërave ndërkombëtare; porti i Izmirit do të ishte gjithashtu i arritshëm pa kaluar nëpër ujërat greke.

Ndërkohë, me zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje, ujërat territoriale të Cikladeve dhe Dodekanezit do të lidheshin, dhe Turqia do të ishte e detyruar të kalonte nëpër ujërat greke për të arritur në Stamboll.

Turqia është në një pozicion të pafavorshëm, edhe për shkak se në vitin 1993 Këshilli Evropian përcaktoi të ashtuquajturat kriteret e Kopenhagenit, të cilat përfshijnë në veçanti vendosmërinë për të zgjidhur polemikat eventuale për kufijtë në përputhje me parimin e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve siç përcaktohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë, nëse është e zbatueshme, njohjen e autoritetit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ishte specifikuar gjithashtu që gjatë periudhës para anëtarësimit të mundshëm në BE, Turqia do të përafronte në mënyrë progresive pozicionet e saj me ato të BE-së në organizatat ndërkombëtare, që logjikisht nënkupton aderimin e saj në Konventën e Gjirit Montego. Jurisprudenca e Gjykatës nuk është domosdoshmërisht kundër pozicioneve të Ankarasë, veçanërisht në shelfin kontinental, por problem për Turqinë mbetet gjerësia e ujërave territorial, pra me pak fjalë zgjerimi grek me 12 milje detare.

Vendet e tjera të rajonit kanë gjetur zgjidhje ose janë në pritje të zgjidhjeve në lidhje me shellfin continental.

Për Malin e Zi, ujërat territoriale, siç përcaktohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara 1982 mbi Ligjin e Detit kanë një rrip prej 12 miljesh detare nga vija fillestare e vendit bregdetar.  Për Bosnjë-Hercegovinën,  vija bregdetare është 21.2 km dhe kufijtë detarë janë me Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Deti territorial i Bosnjë dhe Hercegovinës është i kufizuar dhe i mbyllur plotësisht nga ujërat e brendshme kroate. Ujërat e brendshëm të Republikës së Kroacisë përfshijnë porte dhe gjire në bregdet dhe ishuj, dhe gjithashtu pjesë të detit midis vijës së ulët ujore në bregdet dhe vijës bazë për matjen e gjerësisë së ujërave territoriale.

Deti territorial përcaktohet në gjerësinë 12 milje nga një vijë e drejtë fillestare. Kroacia e ka mbyllur cështjen e kufirit detar me Italinë dhe Malin e Zi. Ndërsa përcaktimi i plotë i kufijve detarë me Slloveninë është ende në pritje. Të dy ish republikat Jugosllave kishin kohë që ishin në mosmarrëveshje mbi ujërat bregdetare në Adriatikun verior.

Në vitin 2017, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë vendosi në favor të pretendimit slloven. Por Kroacia u tërhoq nga procesi, duke thënë se ai ishte komprometuar nga bisedat telefonike në korrik 2015 midis një gjykatësi slloven në Gjykatë dhe përfaqësuesit zyrtar të Sllovenisë në Gjykatë.

Sllovenia paraqiti një letër ankese kundër Kroacisë fqinje në Komisionin Evropian në Mars 2018 pasi Zagrebi refuzoi të respektojë një vendim të gjykatës së arbitrazhit në mosmarrëveshjen e tyre mbi ujërat territoriale në Detin Adriatik.

Pasi Komisioni Evropian refuzoi të përfshihej, duke deklaruar neutralitetin, në korrik 2018 Sllovenia ngriti një padi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Në një goditje për Slloveninë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë, tha se nuk kishte juridiksion për të vendosur mbi pretendimet sllovene se Kroacia kishte shkelur ligjin Evropian duke mos zbatuar një vendim të arbitrazhit kufitar.

Çështja tani ka mbetur e hapur midis dy vendeve, të cilat në fund të fundit, duhet të merren vesh për një zgjidhje përfundimtare./abcnews.al/