Zjarret vijojnë të furishme në qarkun e Vlorës, ku disa vatra janë riaktivizuar, ndërsa ka edhe të reja. Më e fundit është ajo në gjirin e Gramës, e cila pati intensitet të lartë gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që raportohet riaktivizim i vatrës në Dukat.
Karaburuni është zona më e prekur nga zjarrët e javëve të fundit, ku janë djegur qindra hektarë me pyje dhe kullota.
Sëfundmi, kanë nisur punën për shuarjen e flakëve edhe helikopterët e ardhur nga vendet e BE-së, si Holanda dhe Çekia.
Helikopterët e transportit Chinook kanë një kapacitet pesë herë më të madh se sa ata tanët duke rritur kështu mundësitë për mbajtjen nën kontroll ta zonave të prekura nga zjarret.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e zjarreve aktive në jug dhe në veri të vendit duke theksuar se situata është nën kontroll.
Sipas raportit më të fundit të bërë nga ministria rezulton se deri më tani janë aktivizuar disa vatra zjarri nga veriu në jug por fatmirësisht nuk përbëjnë rrezik për zonat e banuara.
Së fundmi mësohet se është riaktivizuar një vatër zjarri në Dukat dhe në majën e Rrunës në Kukës është një tjetër vatër që është e vështirë për ta venë nën kontroll.
Ministria bën me dije se në mbështetje të forcave tona operacionale këtë të shtunë për të dhënë ndihmë në shuarjen e flakëve do të jetë dhe një helikopter i ardhur nga Holanda.
“Prej orëve të para të mëngjesit është intensifikuar puna për shuarjen e zjarreve në vatrat aktive të mbetura në të gjithë territorin e vendit.
Zjarri në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë është eleminuar në pjesën më të madhe të vatrave, por është riaktivizuar një vatër intensive në malin e Dukatit, e cila ishte e shuar pak ditë më parë. Sot në mbështetje të forcave tona operacionale është edhe një helikopter i ardhur nga Holanda.
Gjatë natës ka patur një vatër të re në Gjirin e Gramës, ku gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve me forca të shtuara.
Zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, bashkia Finiq ka rënë në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.
Një zjarr i rënë në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier ka angazhuar forcat operacionale prej orësh, të cilët po punojnë për ta mbajtur nën kontroll. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe helikopteri i ardhur nga Çekia.
Zjarri në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, aktualisht po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në zona të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë forcat nuk mund të ndërhyjnë dot në të gjithë zonën.
Zjarri pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.
Zjarri është nën kontroll edhe në fshatin Vermosh, njësia administrative Kelmend, bashkia Malësi e Madhe.
Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë si dhe në fshatin Munellë-Domgjon, po në këtë bashki”, thuhet në raportin e ministrisë.e.su./abcnews.al