Ka shumë si ajo mes nesh, por janë të paktë ata që guxojnë të flasin.
Të tregosh historinë e jetës kërkon guxim. Të përballesh me dhimbjen dhe ta thuash me zë të lartë, kërkon një zemër të madhe.
E tillë është Alketa Nushi.
Për herë të parë, ajo ka zgjedhur të ndajë me të tjerët një pjesë të errët, por jetike të jetës së saj, luftën me kancerin e gjirit. Një betejë që zgjati tre vite, por që sot i përket të kaluarës.
“Quhem e shëruar prej një viti e gjysmë, ndihem shumë mirë. E kam kaluar të gjithë pjesën e rrezikut”.
Një lodhje e vazhdueshme dhe një ndjesi parehatie që zgjati disa ditë, ishin sinjalet e para që e çuan 45 vjeçaren te mjeku.
Nuk ishte dhimbje e madhe, por ndjente që diçka nuk shkonte. Trupi i saj po fliste dhe ajo vendosi ta dëgjonte.
“Nuk ndihesha mirë fizikisht, pothuajse gjithë kohës isha e lodhur, brenda javës më ka rënë dy herë gjendje të fikti. Gjithashtu në anën time të djathtë, vura re një gjëndër që po rritej me shpejtësi. Nuk prita më gjatë, dhe bëra një ekografi. Doktori konstatoi se ishte diçka jo e mirë, dhe më tha të bëja vizitat e tjera”.
E kishte dëgjuar shpesh këtë diagnose, por tani ajo kishte një emër. Ishte brenda saj. Një stuhi emocionesh shpërthyen tek ajo: frikë, pasiguri, trishtim, pyetje pa përgjigje.
Pyetjet ishin të shumta. Mendja nuk ndalej. Kërkimi në Google ishte veprimi i parë. Aty gjeti gjithçka… përveç asaj që i duhej më shumë: shpresë.
“Ka qenë një emocion, shumë i vështirë për mua. Ka qenë një ditë shumë e ngarkuar emocionalisht, zemra ime rrihet shumë dhe mendimet ngatërroheshin me njëra-tjetrën. Shpresa dhe frika ishin shumë të mëdhaja për mua. Do përballesha me të panjohurën, por, si? Kjo ishte një pikëpytje në mendjen time.
Veprimi i parë ka qenë lundrimi në google, kam lexuar shumë. Kam menduat si do bëhesha, ndonjëherë ndihesha keq që s’do isha ajo që isha. Sdo kisha liri, forcën. Por sot jam ok”.
Dy muaj para se te mesonte semundjen, Alketa kishte humbur babain. Dhimbja në familje ishte ende e freskët. Për ta mbrojtur nënën e saj nga një tjetër tronditje, vendosi të mos i tregonte menjëherë.
“Ishte nëna ime. Nuk ia kam thënë që në fillim, sepse mendova se sduhet ta dij. Babi kishte veç dy muaj që kishte ndërruar jetë. Nëse unë sdo e fitoja betejn me kanceri, ajo do shkatërrohej totalisht. Edhe sot ajo mendon se jam e sëmurë. Nëse iki 1 ose 2 ditë nga shpia, më merr 3 herë në celularë sesi jam. Ajo më pyeste pse se hap kamerën, a je mirë. Në momentin që më ranë flokët s’doja t’më shihte ashtu.”
Përveç mbështetjes nga familja, miqtë dhe kolegët, Alketa gjeti forcën më të madhe brenda vetes.
“Si natyrë kam qenë shumë luftarake”.
Alketa është psikologe në një shkollë, dhe, megjithëse trajtimi e rraskapiti, nuk u shkëput asnjë ditë nga puna.
Përkundrazi i qëndroi më pranë se kurrë nxënësve dhe kolegëve të saj.
“Të premten bëja kimion, dhe të hënën shkoja në punë. Kërkoja ta kisha ditën e zënë, të angazhuar, e plotësoja me shëtitje në natyrë, bëja dhe sport, kështu kaloj gjithë situata e tëndë. Ka qenë paj i vështirë, në shkollë shkoja me paruke. E përjeton, vetulla s’kisha”…..
E di që beteja e saj është ajo e mijëra grave të tjera. Ndaj, zgjodhi të flasë për të dhënë zë, forcë dhe shpresë. Sot, në muajin e sensibilizimit të luftës ndaj kancerit të gjirit, Alketa nuk flet vetëm si një grua që ka kaluarkëtë sëmundje, por, flet si një zë shprese për të gjitha ato që po kalojnë një betejë të ngjashme.
“Ju jeni më të forta se sfidat. Mos u dorëzoni, forca juaj është shpresë për të tjerët. Jeni shembull i mirë i forcës, dashurisë dhe jetës. Me besim ia kam dal”….

