Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me homologun amerikan Donald Trump në Francë, ku ka marrë mbështetje për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Ndërsa, Vuçiç ka takuar kancelaren Merkel për t’iu ankuar lidhur me taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është pritur në Paris nga presidenti Emmanuel Macron në Pallatin Elize. Ai përmes rrjetit social Facebook ka bërë të ditur se ky Franca është “qendër e mikpritjes së liderëve nga mbarë bota”. “Shënimi i 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore është mesazh botëror për rëndësinë e madhe të paqes”, ka shkruar Thaçi në Facebook. Ndërkohë, më herët gjatë mbrëmjes të së shtunës, presidenti i Kosovës takoi edhe një lider botëror.
“Kam pasur një takim të rëndësishëm me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Ai shprehi 100% mbështetje për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. I jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe të Amerikës”, ka shkruar Thaçi në Twitter. Ndërsa nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka takuar Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Por edhe Beogradi nuk ka qëndruar duarkryq. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka takuar në Paris, Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Mësohet se kreu i shtetit serb e ka njoftuar Merkelin për dialogun Kosovë – Serbi dhe është ankuar rreth taksës së vendosur nga Kosova për produktet serbe. Sipas një njoftimi të presidencës serbe, “Vuçiç i ka thënë kancelares se nuk e kupton kur dikush pa asnjë përgjegjësi shkel marrëveshjet e arritura dhe shkel bashkëpunimin rajonal si dhe kërcënon stabilitetin”. Ndërsa Merkel nënvizoi se dëshiron të ndihmojë në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.