Beteja Hoti-Kurti zhvendoset në Kushtetuese

schedule08:46 - 1 Dhjetor, 2020

schedule 08:46 - 1 Dhjetor, 2020

Nesër në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seancë dëgjimore lidhur me Kushtetueshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, për të cilën kishte kërkuar interpretim partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje. Seanca pritet të fillojë në ora 10:00, derisa, sot gjatë ditës GJK-ja ka bërë të ditur se do të publikojë edhe informacione të reja.

Lëvizja Vetëvendosje nesër do të marrë përgjigjje mbi dyshimet që kanë shfaqur që nga votimi i Qeverisë Hoti lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi.

Të gjitha palët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike që do të mbahet me datë 2 dhjetor.

Kjo seancë dëgjimore do të mbahet përmes video-konferencës e në Kushtetuese thonë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.

“Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, kanë thënë përfaqësuesit e gjykatës në një prononcim për mediat.

GJK-ja bën të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë për informacione më të detajuara.

“Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thotë Gjykata.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka treaguar në emisionin DPT te Fidani në T7 se çfarë do të ndodhë nëse Kushtetuesja shpallë të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi.

 “Kurti kthehet në pozitën ku ishte në fillim. Do të thotë zgjedhë se a do t’i dërgojë letrat famoze përsëri u.d. presidentit. Unë isha kundër këtij vendimi ju e dini. Ishte i padrejtë vendimi i Kushtetueses pasi merrej me sjelljet e Albinit me letra. Por kjo nuk është drejtësia. Ajo duhet të merrej me faktet. Tani është në dorë të u.d. të presidentes. Ajo mund të zgjedhë. Mund të zgjasë edhe deri në pafundësi. Vendimi ka qenë shumë i pabazë”, shtoi ai.

Si do të mbahet seanca?

Seancat dëgjimore në Kushtetuese mund të mbahen në rast se Gjykata urdhëron mbajtjen e tyre, duke besuar se në këtë mënyrë mund të qartësohen provat.

Këto seanca janë publike përveç nëse urdhërohet ndryshe nga Gjykata, kur ka arsyetim të mirë sipas Ligjit ose sipas kësaj Rregulloreje.

Të gjitha seancat dëgjimore do të jenë të hapura për qytetarët, përveç kur Gjykata urdhëron përjashtimin e qytetarëve nga seanca, nëse një përjashtim i tillë kërkohet për sigurinë e ndonjërës nga palët ose të përfaqësuesve të tyre, apo për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

”Çdo pale, përfaqësuesi, dëshmitari ose pjesëmarrësi tjetër në seancë dëgjimore, sjellja e të cilit ndaj gjyqtarit ose ndaj Sekretarit të Përgjithshëm nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës, ose i cili sillet në mënyrë fyese ndaj palës tjetër apo të ndonjë përfaqësuesi të palës tjetër, mund t’i shqiptohet vërejtje nga Kryetari dhe t’i jepet mundësia të mbrojë veten. Kryetari, në konsultim me gjyqtarët, mund të urdhërojë shqiptimin e masave disiplinore, përfshirë shqiptimin e gjobës, në pajtim me normat e vendosura nga Gjykata, ose, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimin nga seanca dëgjimore”, thuhet në rregulloren e këtij institucioni, ku bëhet e ditur gjithashtu se kryetari mund ta përjashtojë një vëzhgues nga seanca, nëse sjellja e tij/saj nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës apo nëse ai/ajo shkakton shqetësim në Gjykatë.

Seanca mund të shtyhet nga kryetari i Gjykatës nëse ndonjëra palë dëshmon se për ndonjë arsye të rëndësishme nuk mund të marrë pjesë në seancë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!