Beteja përfundimtare për Mariupolin po zhvillohet në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal, ku qindra luftëtarë ukrainas janë strehuar në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, të rrethuar nga trupat ruse.
Sipas asaj që kanë deklaruar zyrtarët ukrainas, ditët e fundit vendi është goditur nga sulme të rënda ruse ndërsa një numër i madh civilësh raportohet të jetë evakuuar.
Në fundjavë, autoritetet thanë se të gjithë të moshuarit, gratë dhe fëmijët u shpëtuan në misione të koordinuara nga OKB-ja dhe Kryqi i Kuq, raporton BBC. Megjithatë, OKB vetë nuk e ka konfirmuar lajmin. Nga ana tjetër, informacionet se të paktën 100 civilë mbeten ende të strehuar në fabrikë kanë rikthyer shqetësimet për situatën në të cilën ata ndodhen.
Ndërkohë, familjet e luftëtarëve presin me ankth që të vihet në zbatim një plan që do të lejonte edhe evakuimin e tyre. Kjo, megjithatë, duket shumë e pamundur. Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të transmetuar drejtpërdrejt nga një bunker të dielën, dy luftëtarë ukrainas hodhën poshtë idenë se ata mund të dorëzoheshin.
“Ne nuk kemi shanse të larta për të mbijetuar nëse na kapin,” tha njëri prej tyre. “Në thelb jemi njerëz të vdekur. Shumica prej nesh e dinë këtë.”
Kujtojmë se Mariupol-i është strategjikisht i rëndësishëm për Rusinë, pasi marrja e tij do t’i lejonte Moskës të krijonte një urë tokësore midis zonave lindore të Donetskut dhe Luhanskut, që kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se të fillonte pushtimi, dhe gadishullit të Krimesë, të pushtuar dhe aneksuar nga Rusia në 2014. /abcnews.al/