Bayern Munchen mbetet gjithmonë një nga kundërshtarët më të rrezikshëm. Rrëzimi i tyre nga froni në Bundesligë është një mision pothuajse i pamundur, por klubi bavarez ka pretendime edhe në Evropë.
Champions League mungon në Mynih prej vitit 2013 dhe fitorja e thellë 2-7 në Angli përballë Tottenhamit tregoi se gjermanët e kanë marrë seriozisht sivjet këtë kompeticion.
Thiago Alcantara është prej vitesh një nga pikat më të forta të ekipit. Mesfushori spanjoll ndihet për mrekulli te kampionët e Gjermanisë. 28-vjeçari, të cilit i përfundon kontrata me Bayernin në vitin 2021 ka folur për kanalin zyrtar të klubit, duke gëzuar tifozët me fjalët e tij.
“Ndihem mirë dhe jam i lumtur te Bayerni. Edhe familja ime ndihet për mrekulli. Mynihu është një qytet i mrekullueshëm për të jetuar, kështu që pse të mos e mbyll karrierën këtu? Objektivi ynë është fitimi i çdo trofeu të mundshëm”, përfundon Thiago Alcantara. /abcnews.al