Besnik Hasi më pranë Evropës, ish-kapiteni “kuqezi” po shkëlqen si trajner në Belgjikë

schedule14:56 - 9 Mars, 2024

schedule 14:56 - 9 Mars, 2024

Ka pasur kulme dhe rënie të forta. Besnik Hasi ka qenë një futbollist i spikatur për kombëtaren shqiptare, por një trajner me dritë-hije, ndonëse duket se është në një moment të shkëlqyer. Në stolin e skuadrës KV Mechelen, në Belgjikë, gjakovari 52-vjeçar ka arritur 4 fitore radhazi dhe tashmë pretendon një vend në kupat e Evropës.

Champions League është larg, por ëndrrat nuk kushtojnë aspak. Ish-kapiteni i Shqipërisë po e drejton skuadrën e Mechelen për 15 ndeshje, dhe suksesi i fundit u arrit këtë javë, 3-1 ndaj rivalit Westerlo. Viti 2024 është vërtet i madh, me bilancin në Jupiler Pro League, 7 fitore e 2 barazime, e pa provuar asnjë humbje.

Mechelen është tashmë në zonën e “play off” për titull në kampionatin belg, ndonëse epërsia ndaj vendit të 7-të është vetëm dy pikë, pra gjithçka mund të ndryshojë. Tifozët presin që nën drejtimin e Hasit dhe me talentin që kanë në skuadër, të përsërisin sukseset e kaluara.

Saktësisht pesë vjet më parë Mechelen fitoi Kupën e Belgjikës, ndërsa titulli, i pronësuar 4 herë, është marrë për herë të fundit plot 35 vjet më parë. Ku i dihet, ndoshta ka ardhur koha përsëri për t’ia dalë! /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!