Besimtarët e krishterë kremtojnë lindjen e Krishtit

schedule09:21 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 09:21 - 25 Dhjetor, 2018

Besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë lindjen e Krishtit, datën më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.

Në Tiranë, mesha e shenjtë për katolikët u mbajt në mesnatë, në katedralen e “Shën Palit”. Qindra besimtarë morën pjesë në këtë meshë ku u lutën për paqe, dashuri e mirësi mes njerëzve. Mesha e shenjtë e kësaj date në Katedralen Katolike u drejtua nga Imzot Xhorxh Frendo. Në fjalën e tij para besimtarëve ai tha: “Të hapim zemrat tona që të pranojmë mesazhin e Jezu Krishtit për jetën tonë dhe të shoqërisë”.

Imzot Xhorxh Frendo ka bërë apel për dialog dhe kundër dhunës. Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve  nga vendi, prandaj u bëri apel pozitës dhe opozitës që të ulen për të zgjidhur problemin e papunësisë.

Ndërsa besimtarët ortodoksë u mblodhen sot në mëngjes në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Mesha u drejtua nga kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos.

Besimtarët e krishterë kremtojnë lindjen e birit të Perëndisë Jezu Krishtit, një moment që mbart simbolikën e shpresës, dhe që shoqërohet me urimet për paqe, harmoni e dashuri mes njerëzve.

Rreth  shekullit të katërt, kisha perëndimore zgjodhi datën 25 dhjetor, si një simbolikë për të përkujtuar ardhjen e Zotit në tokë në formën e njeriut, për të shlyer mëkatet e njerëzve. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!