LEZHË- Berisha mbajti foltoren e parë për këtë vit, dhe pse viti anti-diktature s’ka nisur dhe aq mire, probleme nga drejtësia po i hapin me rithemelimin. Por edhe këtë si 13 vite opozitë, ua faturoi demokratëve.
“Kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë dhe opozitën, por ishte globale. Ju zgjodhët në kushte të vështira, shpëtimin e pluralizmit. Me atë izolim, besuan se na varrosën 7 pashë nën tokë, ja ku jemi sot”, theksoi Berisha.
Por demokratët që paguajnë faturën, e dinë mirë edhe çmimin.
“Doktor keni shumë shkëputje nga baza, kjo baza e mban PD. Dhe unë besoj se ky nuk është faji yt, por keqinformimi, nga numri 2, te drejtuesit politik e ata të listave të mbyllura që nuk njohin njerëzit”, pohoi një demokrat.
“Doktor, Si e ka emrin ajo klinika në fier që mbjell flokët, se ata që dalin nga burgu aty kanë sukses me këtë sigël”, shtoi një tjetër.
” Kjo parti do të mbetet parti e fjalës së lirë. Por kurrë s’do të mund ta marrë kush për interesa personale apo vetjake. Ata që e bënë këtë, u shuan. PD është parti e idealeve. Kjo nuk është parti e lejeve të ndërtimit, pallateve pa leje apo fshehjes së krimeve”, tha Berisha.
Për lidhje me krimin doktori së fundmi ka akuzuar takimet e Salianjit, por 4 vite më parë e kishte radhën Gazment Bardhi për vrasjen e Pjerin Xhuvanit të Elbasanit. Njëri po i hap probleme me kallëzimet e vjetra nga brenda, tjetri me foltoret paralele nga jashtë. Për ti paralajmëruar, Berishës iu kujtua vetëm një emër, jo rastësisht 1 javë para 21 janarit, i fundit qe provoi ta sfidojë, Lulzim Basha.
“Një kalbësirë e brendshme e kapi PD, një kryetar që i dhatë besimin, ditën ishte me ju, natën me Ramën, ndante paratë dhe pazaret. Punonte kundra jush. Punonte kundër idealeve tuaja. Ai që kujton se mundet të bëjë, mund të lulëzojë në këtë mënyrë, ai gabon. Nëse vrapon për interesa private, do përfundosh si ata, s’të ka borxh Sali Berisha”, tha ai.
Por doktori para demokratëve e bëri një hap pas. Ai për herë të parë siguroi, se pasardhësi i tij politik nuk do të vijë nga familja, por ka një kusht themelor për të qenë kryetar, si fillim duhet të ketë vota.
“Them me sinqeritet, nuk kam ndërmend të lë pasardhës, as vajzën as djalin tim, pasardhësin ua lë ju, ta zgjidhni ju, atë që besoni më shumë”, tha ai./abcnews.al


