Besa ka arritur të sigurojë një fitore të rëndësishme përballë Apolonisë. Një triumf me përmbysje 2-1 për kavajasit, të cilët në këtë mënyrë shijojnë edhe fitoren e parë në këtë sezon të Kategorisë së Parë.
Miqtë kaluan të parët në avantazh me Anthony në minutën e 34’, ndërsa vendasit mundën të barazonin vetëm në minutën e 84-të, kur Goga shënoi për 1-1.
Për t’i siguruar fitoren Besës mendoi Onuh në minutën e fundit të kohës së rregullt, duke ndëshkuar kështu fierakët dhe për të përmbysur rezultatin.
Skuadra e Gugash Maganit merr kështu fitoren e parë në kampionat dhe ngjitet në vendin e shtatë me 4 pikë, ndërsa Apolonia me këtë humbje qëndron momentalisht në vendin e katërt pa mundur t’i bashkohet Dinamos në krye të klasifikimit. /f.a/abcnews.al