Aktori shqiptar nga Kosova, Arben Bajraktaraj foli për serialin “Besa”, që ka bërë bashkë aktorë ndërkombëtarë. Seriali mblodhi më shumë se 200 aktorë nga i gjithë territori i ish-Jugosllavisë, si dhe aktorë nga Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Në një lidhje me Skype për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Bajraktaraj tregoi se përse pranoi të bëhej pjesë e këtij seriali.
“Kemi punuar të tejkalojmë perceptimet klisheiste që një shoqëri mund të ketë për një tjetër, është krijuar një seri që ka një dimension shumë shtresor, që hapet shumë më shumë sesa në dukje. Duket si seri mbi kriminelë por nuk është. Duhen shikuar 22 episodet, ndodhin shumë gjëra dhe jam shumë i lumtur që kam pranuar këtë sfidë sepse nuk ishte e lehtë por besoj se i kemi tejkaluar të gjitha.
Nuk ka bërë asnjë provokim, është fjala për të marrë një vlerë të jashtëzakonshme që ekziston në hapësirën shqiptare. Kanë dashur të bëjnë një seri në Ballkan, dhe ideja e besës është dukur më intriguesja. Këtu është pikënisja e idesë së tyre. Pastaj se çfarë ndodh më tej është një zhvillim i jashtëzakonshëm dramaturgjik.”, tha ai.
Ai tha se është ndër të vetmit prodhime ballkanase që është shitur shumë në vende të tjera. Më tej, ai shtoi se në fillim nuk kishte dashur të bëhej pjesë e këtij seriali. “Jo vetëm që kam pasur rezervë por fillimisht nuk kam dashur ta bëj. Kemi pasur një marrëveshje, ka qenë producentja që më ka bindur, jo vetëm mua por dhe shumë të tjerë. Kemi bërë ndërhyrje të mëdha në sezonin e parë. Pikërisht për t’ju ikur perceptimeve dhe stereotipeve, por edhe ato sharjet.”, tha ai.
/abcnews.al