Me 49 gola të shënuar në të gjitha kompeticionet për “qytetarët” e Manchester City, padyshim “roboti” norvegjez, Erling Haaland mund të konsiderohet lojtari “më i mirë” në të gjithë botën, të paktën për momentin e nëse ja del të plotësojë tripletën me “blutë” e Mançesterit atëhere “vikingu” do të shihej si pretendenti kryesor për të fituar “Topin e Artë”, në mos do të “shpallet” fitues shumë kohë më parë.
Së fundmi, në një intervistë për media shoku i skuadrës te Manchester City, Bernardo Silva është shprehur se 22-vjeçari e meriton padiskutim Topin e Artë ndërsa fantazisti flet edhe për diferencat mes Haaland dhe Cristiano Ronaldo.
“Shpresoj që Haaland ta fitoj Topin e Artë sepse nuk është vetëm një lojtar i mirë, por edhe një djalosh shumë i mirë. Dhe sigurisht nëse ja dalim të fitojmë kampionatin dhe Champions League atëherë unë do të jem tifozi numëri një që Haaland të fitoj Topin e Artë.
Krahasimi me CR7? Janë personalitete të ndryshme, jashtë fushe Haaland është shumë më ndryshe se Ronaldo. Në fushë ngjajnë për urinë e tyre në lidhje me shënimin e golave. Haaland është gjithnjë në vendin e duhur sa herë topi shkon në zonë, ka një nuhatje fantastike. E di mirë se ku do të shkojë topi dhe në këtë pikë ngjason shumë me Ronaldon. Janë lojtarë të ndryshëm, por në dëshirën për të shënuar dhe për të ndihmuar skuadrën janë të njëjtë”,- u shpreh Bernardo Silva.
Nëse Haaland ja del ta kurorëzojë sezonin me Topin e Artë, atëherë do të bëhej lojtari i dytë nga Premier League që e fiton trofeun prestigjioz teksa i pari ishte pikërisht Cristiano Ronaldo në kohën kur vishte fanellën e Manchester United. /i.m /abcnews.al