Rusia qëndron pas një sulmi kibernetiki ndaj kontrollit të trafikut ajror ne Gjermani dhe tentoi te ndërhynte ne zgjedhje.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme gjermane tha se Moska u përpoq të ndikonte dhe destabilizonte zgjedhjet federale në shkurt të këtij viti, përmes fushatës “Stuhia 1516”. Fushata ishte përqendruar pjesërisht te kandidati kryesor i Partisë së Gjelbër Robert Habeck dhe kandidati kryesor i CDU Friedrich Merz, i cili tani është kancelar.
Qeveria gjermane tha se agjencitë e sigurisë kishin identifikuar video të rreme që pretendonin manipulimin e fletëvotimeve si pjesë e një përpjekjeje ruse për dezinformim vetëm disa ditë para zgjedhjeve.
Zëdhënësi tha po ashtu se grupi APT28 ose i njohur edhe si Fancy Bear qëndron pas sulmeve kibernetike të gushtit të vitit 2024 në kontrollin e trafikut ajror gjerman.
Sulmi ishte i përqëndruar në infrastrukturën administrative, gjë që rrezikoi të dhënat, por fluturimet vazhduan normalisht. Kjo ngjarje jo vetëm që alarmoi autoritetet dhe qytetarët në Gjermani, por ngriti pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë kibernetike të vendit.
Berlini thirri ambasadorin e Rusisë për t’i bërë të qartë se po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe do të ndërmarrë kundërmasat e nevojshme. Akuzat vijnë në një kohë shqetësimesh të shtuara në Europë lidhur me hakerat dhe spiunët e dyshuar rusë që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Kremlini më parë ka thënë se akuzat europiane për një sabotim rus ose fushatë hibride janë tërësisht të pabazuara.

